Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Gjatë këtij takimi u theksua roli dhe rëndësia e bashkëpunimit të mirë në mes të pushtetit lokal dhe qendror me qëllim të trajtimit dhe zgjidhjes së problematikave të ndryshme të qytetarëve të vendit. Në takim me kryetarin Rama, ministrja Haxhiu çështje kryesore të diskutimit kishte fenomenin kompleks të dhunës në familje me ç ‘rast kërkoi nga kryetari Rama që të përfshinë në agjendën e tij sa më shumë aktivitete të cilat kanë të bëjnë me parandalimin e dhunës në familje, duke shfrytëzuar njëherit edhe mekanizmin koordinues kundër dhunës në familje i cili funksionon në kuadër të Komunës së Prishtinës. Ministria Haxhiu është shprehur se mbetet e përkushtuar në avancimin e mëtejmë të bazës ligjore dhe përafrim të legjislacionit me standardet ndërkombëtare me qëllim të parandalimit dhe njëherit ndjekjes së atyre që shkaktojnë dhunë në familje. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, strehimoret dhe Policia e Kosovës, me të cilët Haxhiu dhe Rama diskutuan për sfidat, problematikat dhe veprimet konkrete të cilat po ndërmerren në luftën dhe parandalimin e dhunës në familje”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së drejtësisë.
Rama ka falënderuar ministren për vizitën dhe njëherit e siguroi atë se Komuna e Prishtinës do të jetë aktive në trajtimin e problemeve të qytetarëve dhe rasteve që kanë të bëjnë me dhunën në familje përmes mekanizmave përkatës dhe aktiviteteve konkrete që Komuna parasheh t’i ndërmerr në këtë drejtim.