UBT News

​Akuzat e Ministrisë së Drejtësisë, vjen reagimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një sqarimi për media njofton opinionin publik se nuk ka bërë asnjëherë pagesa të ekspertëve mjekoligjorë në mënyrë të kundërligjshme, ashtu siç është thënë sot në një konferencë për media nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik, Këshilli Prokurorial kërkon nga organet ekzekutive, konkretisht nga Ministria e Drejtësisë, që për mosrealizimin e obligimeve të veta legjislative të mos ia hedhin fajin KPK-së.

Ligji në fuqi për Mjekësinë Ligjore, i vitit 2016, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, ka paraparë në nenin 13, paragrafi 1, si vijon: “Nëpunësit e Institutit, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë marrin pjesë në ekzaminimet mjeko-ligjore për shkak të natyrës së punës kanë të drejtë në shtesë në të ardhura personale në pajtim me legjislacionin në fuqi”.

Gjithashtu në nenin 19, paragrafin 2 të këtij ligji, theksohet se “deri në nxjerrjen e akteve nënligjore sipas paragrafit 1 të këtij neni zbatohen aktet nënligjore të cilat janë në fuqi, nëse nuk janë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji”.

Për hir të njoftimit të saktë dhe të drejtë të opinionit publik lidhur me pagesat e ekspertëve mjekoligjorë, KPK njofton se zbatohet Udhëzimi Administrativ i Qeverisë së Kosovës për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjekoligjorë, ku në nenin 5 të tij obligohet Këshilli Gjyqësor dhe Prokurori i Shtetit që t’i bëjnë të gjitha pagesat për ekspertët e mjekësisë ligjore në bazë të tarifave të përcaktuara në udhëzim, të cilat ekzekutohen nga Ministria e Financave.

Edhe pse në konferencë u theksua se ”me hyrjen në fuqi të këtij Ligji ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore që ishin bazuar në Ligjin paraprak”, ky konstatim nuk qëndron dhe kjo shpërfaqë mos njohuritë bazike, ligjore dhe profesionale të zëvendësministrit të Drejtësisë, duke dezinformuar mediat dhe opinionin, ngase në Ligjin për Mjekësinë Ligjore të vitit 2016, me asnjë dispozitë nuk shfuqizohet asnjë akt nënligjor, thuhet më tej në sqarim.

Pasi që Udhëzimi Administrativ për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të ekspertëve mjekoligjorë nuk është shfuqizuar apo nuk është bërë plotësim-ndryshimi i të njëjtit, kompetencë kjo që tërësisht është e Qeverisë së Kosovës, KPK-ja ka qenë e obliguar ligjërisht për realizimin e pagesave me aktet nënligjore në fuqi, me qëllim të vazhdimit të përmbushjes së mandatit kushtetues dhe ligjor të Prokurorit të Shtetit.

Për më tepër, Këshilli Prokurorial i Kosovës bën me dije se i ka drejtuar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që ta rishikojë udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili e rregullon kompensimin e ekspertëve.

Po ashtu, nuk qëndron pretendimi se prokurorët i përzgjedhin ekspertët e mjekësisë ligjore, pasi të njëjtit i cakton Instituti i Mjekësisë Ligjore, i cili është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas KPK-së, të gjitha pretendimet e paraqitura nga zëvendësministri i Drejtësisë ndaj Këshillit Prokurorial janë të pabaza dhe shpërfaqin mos njohuri të thella profesionale me tendencën e vetme për të denigruar dhe goditur institucionin e pavarur kushtetues, Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ndryshe, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka akuzuar ish-ministren Dhurata Hoxha dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për ndarjen e mjeteve financiare prej afër 1 milion euro në mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjekoligjorë. Gjithë kjo sipas Sallahut është me udhëzimin i cili është i bazuar në ligjin që është shfuqizuar, përgjatë 5 vjetëve të fundit.

Sipas tij, zbrazëtira ligjore ka mundësuar mostransparencë dhe selektivitet nga ana e Këshillit Prokurorial, pasi siç tha ai, përmes komunikimeve elektronike janë lajmëruar se individë të caktuar e të përzgjedhur, si ekspertë mjekoligjorë janë favorizuar duke u ftuar në vijimësi në më shumë raste për ekzaminime mjekoligjore, duke përfituar më shumë mjete sesa disa ekspertë të tjerë mjekoligjorë që janë diskriminuar.

Exit mobile version