Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: N.K., I.F., K.G., dhe të pandehurës A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale: “Fajdeja” “Detyrimi”, “Dhënia e ryshfetit” “Marrja e ryshfetit” “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrimi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.K., prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim e deri në ditën e arrestimit, pranon një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, e duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të atij personi, në atë mënyrë që fillimisht e ndihmon të dëmtuarin M.B., nga fshati Zhur- Komuna e Prizrenit, që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike.
“Pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej gjashtëmijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare, nga ku pas autorizimit muaj për muaj deri në ditën e arrestimit ka tërhequr mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej gjashtëdhjet e tremijë e tetëqind e tetëdhjetë e tetë euro e dyzet cent. Me këto veprime, i pandehuri N.K., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së. Po ashtu, i pandehuri N.K., prej vitit 2018 e në vazhdim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze për ta detyruar të dëmtuarin M.B., të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që në momentin kur M.B., vullnetarisht nuk ia sillte paratë, shkonte tek i dëmtuari duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e njërës prej bankave, nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ia dorëzojë atij, duke shkaktuar dëm në vlerë prej tetëdhjet e tre mijë e pesëqind euro. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së.