UBT News

​Aktakuzë ndaj dy serbëve për dhunën në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër dy të pandehurve me inicialet S.J dhe I.S të nacionalitetit serb.

Prokuroria njofton se të njëjtit kanë tentuar të marrin pjesë në turmën e mbledhur dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit.

“Me datën 30.05.2023, në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, komuna e Leposaviqit, fillimisht e kanë kaluar kufirin dhe në bashkëkryerje kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore të nevojshme, sende të destinuara për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dëmtimin e objekteve publike dhe private si dhe shkaktimin e dëmtimeve trupore personave zyrtar, duke qenë në kontakt me pjesëmarrës tjerë të turmës në Leposaviq, janë pajtuar që ti bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve serb të datës 29.05.2023, me ç’rast protestuesit kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat ishin lënduar të paktën (tridhjetë) 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, tre nga ta ishin lënduar nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ishin shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite.

“Ndërkaq, i pandehuri I.S akuzohet se ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe gjatë kontrollimit të veturës së markës “Honda” me targa sllovene, të cilën e drejtonte i pandehuri, në bagazhin e veturës janë gjetur dhe sekuestruar katër sprej dhe një piper sprej për të cilat nuk kishte autorizim që ti mbaj. Me këto veprime i pandehuri e ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, theksohet në komunikatë.

Exit mobile version