UBT News

​Aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit e Inspektoratit në Komunën e Deçanit

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve R.H ., H.T dhe J.H., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në njoftim thuhet se i pandehuri, R.H., në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes të Mjedisit në komunën e Deçanit, në katër raste të ndara, duke tejkaluar kompetencat e tij sipas detyrës zyrtare, ka lëshuar leje ndërtimi në kundërshtim me ligjet përkatëse, që sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Ndërsa, të pandehurit, H.T. në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit në komunën e Deçanit dhe i pandehuri, J.H, si person zyrtar në pozitën e shefit të sektorit për inspektim në këtë komunë, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas autorizimeve dhe obligimeve të tyre ligjore, duke lejuar mbindërtimin e tri kateve të një objekti, me ç’rast kanë kryer veprën penale ,,Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila i`u vihet në barrë.

Exit mobile version