UBT News

​Aktakuzë ndaj 8 personave për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në lidhje me zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave.

Sipas një komunikate të Prokurorisë, shtatë prej tyre akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i të drejtës së votimit” dhe “vjedhja e identitetet dhe pajisja e qasjes”. Kurse, një person akuzohet për veprën penale “Kanosje”.

“Në mesin e të akuzuarve janë: Sh. G. ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, T.Sh. zyrtar në Komunën e Pejës, K. B., M. B., D.B, Sh.Sh., S.B. dhe K.Gj. Të pandehurit akuzohen se gjatë zgjedhjeve të datë 14 shkurt 2021, kanë keqpërdorur të drejtën e votimit duke votuar në emër të qytetarëve të cilët jetojnë në Austri, duke keqpërdorur sistemin e votimit me postë. Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit kanë keqpërdorur kopjet e letërnjoftimeve dhe të drejtën e votës për 71 qytetarë të cilët jetojnë në Austri, duke votuar në emër të tyre në procesin zgjedhor. Ky veprim kriminal i grupit të të pandehurve ka pasur për qëllim sigurimin e votave për kandidatin – të pandehurin Sh. G., megjithatë, i njëjti nuk ka siguruar vota të mjaftueshme për të marr mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në komunikatë. 

Exit mobile version