UBT News

​Aksioni për pastrimin e Tullëtores në Prishtinë, Rama fton qytetarët ta ruajnë ambientin

Pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, policë e zjarrfikës kanë marrë pjesë në pastrimin e Tullëtores në Prishtinë.

Në prag të shënimit të Ditës së Tokës, komuna e Prishtinës ka organizuar këtë aksion për largimin e mbeturinave në këtë hapësirë.

Kryetari Përparim Rama tha se aksioni i pastrimit të kësaj hapësire po organizohet një ditë para Ditës së Tokës. Ai me këtë rast kërkoi nga qytetarët dhe kompanitë e ndryshme që mbeturinat të mos hidhen në hapësira publike.

“Kemi filluar pastrimin e deponive ilegale, e të hapësirave publike. Lus qytetarët që të kenë parasysh se qyteti është i të gjithëve dhe duhet gjithë së bashku të punojmë që ta mbajmë pastër, për veten tonë, rininë tonë, për të ardhmen tonë, për çdo pjesëtar të kryeqytetit. Prandaj edhe kompanive të ndryshme i lus që të bëjnë hedhjen në deponi. I kemi dy deponi tash në Obiliq e Mirash, duhet ato të shfrytëzohen e jo të bëhet hedhje në hapësira publike. Vetëm se bashku mund të tejkalojmë problemin e madh që e ka Prishtina, vetëm së bashku mund të krijojmë një Prishtinë të mirëfilltë të përjetimeve të shëndetshme”, ka thënë ai.

Rama ka shtuar se me marrëveshjen e nënshkruar me Ministrinë e Mbrojtjes do të fillojnë realizimin e aktiviteteve për trajtimin e materialeve të cilat përmbajnë asbest.

“Ne asbestin e kemi këtu nëpër kulmet e Tullëtores. Ne e kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe jemi tash në proces për të filluar me pikat për fillimin e pastrimit të pjesëve, të cilat janë në tokë, pastaj edhe këto të cilat kështu si janë nuk janë të rrezikshme. Mirëpo, nëse preken mund të rrezikojnë. Ideja është që të fillojmë me Tullëtore, por kemi edhe pika të tjera nëpër shkolla të cilat janë të rrezikshme për fëmijët tanë. Por edhe lagjja “Ulpiana”, e cila i ka të gjitha kulmet që i ka me azbest. Ato t’i heqim dhe t’i ndërrojmë me panele solare”, tha ai.

Ndërsa, gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Naim Haziri tha se janë në mbështetje të institucioneve lokale e qendrore për çdo iniciativë që është në të mirën e qytetarëve.

“Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, pavarësisht misionit të saj që ka, iu kemi përgjigjur dhe do t’i përgjigjemi gjithherë çdo kërkese, iniciative të nivelit lokal, nivelit qendror që shkon në funksion të një mirëqenie më të mirë të qytetarëve. Në këtë rast është filluar një ditë para, është një mesazh që dua ta përcjell dhe me mbështet mesazhin që dha kryetari, se nëse duam një qytet të pastër ne duhet ta ruajmë atë… Janë një tog që janë të bashkangjitur sot këtu, ka qenë kërkesë për aq numër nga kryetari i komunës”, tha Haziri.

Edhe komandanti i Stacionit Policor në Kodrën e Trimave, Bekim Bislimi tha se me dhjetëra policë janë bërë pjesë e aksionit të organizuar nga Komuna e Prishtinës.

“Si zakonisht Policia e Kosovës edhe këtë iniciativë e përkrah dhe e mbështet. Do të jemi të gatshëm edhe të ardhmen, çdo herë për çdo iniciativë të komunitetit që t’i përgjigjemi”, tha Bislimi.

Hapësirat e Tullëtores janë pastruar edhe nga shumë zjarrfikës, ku komandanti Latif Zeka tha se janë të gatshëm të marrin pjesë në aksione të tilla për të mirën e qytetarëve.

Exit mobile version