UBT News

​Aksioni për fajde në Gjakovë, pesë të arrestuar, sekuestrohen edhe 16 vetura

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje rreth aksionit të së martës kundër fajdeve duke thënë se ka kryer bastisje në shtëpitë e shtatë të pandehurve, duke përfshirë dhjetë lokacione të ndryshme në Gjakovë. Në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 90 zyrtarë policorë.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar 16 vetura, dy motoçikleta, pesë armë të llojeve të ndryshme, USB-ja, telefona, dokumente, kontrata, regjistra, para dhe prova tjera, ku dyshohet se janë të përfituara me kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Pas përfundimit të aksionit janë arrestuar pesë persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 331 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa dy persona të tjerë gjenden në arrati dhe të njëjtit janë në kërkim policor.

Gjithashtu Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku pritet që gjatë ditës të mbahet seanca dëgjimore në lidhje me kërkesën e prokurorisë.

Aksioni u tha se është ndërmarrë pas veprimeve hetimore disamujore dhe pas sigurimit të provave të nevojshme, duke zbatuar edhe masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit. 

Exit mobile version