Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka vazhduar këqyrjen e vendit të aksidentit të rëndë trafiku që ndodhi dje në rrugën Shkup-Bllacë.
Pas nxjerrjes së veturës BMW me targa të Kosovës dhe tre trupave të pasagjerëve të ndjerë nga ujërat e lumit Lepenc, do të urdhërohet autopsi, ndërsa prokurori publik do të koordinojë të gjitha veprimet për sigurimin e provave për zbardhjen e ngjarjes.
Deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sonte në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personin që është paraburgosur pas mbrëmjes së aksidentit.
Bëhet fjalë për një 64-vjeçar banues të Shkupit i cili drejtonte veturën “Volkswagen Touran” me targa të Shkupit dhe i cili në momentin kritik ka parakaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej edhe vetura kosovare.
Propozimi për caktimin e paraburgimit afatshkurtër është dorëzuar për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje.
Lidhur me aksidentin dhe humbjen e jetës së tre qytetarëve të Kosovës, ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Lajmi për humbjen e tre anëtarëve të familjes Pacolli në aksidentin e ndodhur mbrëmë afër Shkupit, na ka mërzitur shumë të gjithëve. Në këto momente të rënda, u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve Pacolli dhe Visoka, posaçërisht Shkëlqimit, i cili pati fatin t’i shpëtojë kësaj tragjedie, në të cilën humbi prindërit dhe vëllaun e tij. Mirënjohje dhe respekt të gjitha organeve, kosovare dhe maqedonase, të cilat u angazhuan pandalur për gjetjen dhe nxjerrjen e viktimave nga lumi Lepenc”, ka shkruar ai në Facebook.