UBT News

​Ahmeti: Kosova i ka votat e gatshme për fazën e parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës

Kosova i ka votat e gatshme për të kaluar fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Ai në diskutimin e organizuar nga Instituti për Studime Politike (PIPS) të martën në Prishtinë, tha se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pret që Kosova të anëtarësohet në afat rekord. Megjithatë ishte i rezervuar për të dhënë një datë kur Kosovës do t’i hapet dera përfundimisht për anëtarësim në KiE.

“E jona si Qeveri e Republikës së Kosovës ka qenë që të iniciojmë këtë proces dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Unë nuk e di se kur do të përfundojë, por jam optimist se në raport me vendet e tjera të rajonit do të kemi një afat rekord, përveç Malit të Zi, që ka pasur një situatë të veçantë pas pavarësimit nga unioni që ka pasur së bashku me Serbinë. Por në vendet e tjera besoj se do të kemi një afat rekord. Mirëpo, po ashtu e di se po të bënim me vendet e tjera tashmë do të ishim”, tha ai.

Sipas të dytit në MPDJ, institucionet në Kosovë kanë bërë lobim intensiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kemi bërë lobim intensiv që nga aplikimi në Këshill të Evropës. Është bërë punë e madhe veçmas në Strasburg. Konsullata e përgjithshme që drejtohet nga ambasadori Lulzim Hyseni ka realizuar mbi 200 takime, janë organizuar një numër i madh i aktiviteteve kulturore, kanë qenë diku tetë vizita nga niveli i lartë i MPJD-së dhe gjithashtu edhe delegacioni ynë në Asamblenë Parlamentare përgjatë pjesëmarrjes në sesione ka bërë një punë të jashtëzakonshme… Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës tashmë i ka votat e gatshme për të kaluar fazën e parë që e përmenda në nivelin e ambasadorëve te Komiteti i Ministrave. Këto janë mbi dy të tretat e nevojshme dhe po ashtu me konstruktivitet edhe të vendeve mos njohëse”, shtoi Ahmeti.

I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha që pret që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Unë pres që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës për dy arsye. Të gjithë janë të vetëdijshëm se shumica e shteteve që janë anëtare aty nuk i kanë dispozitat kushtetuese-ligjore më të mira se ne. Nëse shohim me kujdes se kush është Kushtetuta e Kosovës, por mbi gjitha edhe zbatimi dhe tereni i Kosovës, tregon se 80 për qind të serbëve të Kosovës jetojnë në territor të vetëqeverisur me 24 kompetenca në 11 komuna. Kjo tregon se ligjet e diskriminimit pozitiv janë krejt në fuqi, mbi të gjitha ne nuk mund të ndryshojmë asnjë ligj vital dhe kushtetutën që prek pakicat në raport me shumicën. Krejt fryma institucionale dhe kushtetuese është multietnike”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, Kushtrim Istrefi, profesor i të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Utrecht-it, tha se opinioni ligjor i Zyrës Ligjore të Këshillit të Evropës ka qenë i rëndësishëm për Kosovën, ku është sqaruar se për anëtarësimin e Kosovës në KiE nevojiten dy të tretat e votave dhe jo unanimitet i plotë.

“Kjo është qartësuar në opinionin ligjor të Zyrës Ligjore të Këshillit të Evropës se nevojiten vetëm dy të tretat në votën e parë të Komitetit të Ministrave që do të votohet nga ambasadorët atje. Ky ka qenë sqarim i domosdoshëm dhe i një rëndësi jetike për Kosovën, pasi nëse do të ishte me unanimitet do të ishte e vështirë për Kosovën të anëtarësohet”, theksoi ai.

Faza e dytë për anëtarësim në Këshill të Evropës është kur Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i kërkon Asamblesë Parlamentare një mendim për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.

Exit mobile version