UBT News

​Agranulocitoza, cilat janë simptomat?

Agranulocitoza është një formë e neutropenisë, një gjendje në të cilën trupi, veçanërisht palca e eshtrave, nuk prodhon mjaft qeliza të bardha të gjakut të quajtura neutrofile.

Kjo mund të çojë në infeksione të rënda bakteriale ose kërpudhore të shoqëruara me ethe, dhimbje të fytit ose pneumoni. Trajtimi kryhet në varësi të shkakut të problemit, më shpesh me ilaçe që ndihmojnë në krijimin e qelizave të bardha të gjakut. Nëse gjendja nuk trajtohet, mund të ndodhë sepsë dhe më pas vdekje.

Pse agranulocitoza është e rrezikshme?

Agranulocitoza është një gjendje kërcënuese për jetën, më saktësisht një çrregullim në punën e gjakut kur prodhohen shumë pak ose aspak neutrofile që përmbajnë enzima, roli kryesor i të cilave është shkatërrimi i baktereve dhe mikrobeve të tjera.

Me fjalë të tjera, qelizat e bardha të gjakut (dhe kështu neutrofilet) janë pjesë e sistemit imunitar dhe mbrojnë trupin nga substancat e dëmshme, bakteret, kërpudhat dhe viruset. Njerëzit që kanë agranulocitozë sëmuren më lehtë dhe më shpesh dhe janë më të vështirë për t’u trajtuar, sepse trupi nuk mund të luftojë trupat e huaj. Edhe një infeksion i butë te këta njerëz mund të përparojë në një gjendje serioze. Nëse nuk njihet me kohë, mund të ndodhë sepsë dhe përfundimisht vdekje.

Çfarë e shkakton?

Ekzistojnë dy lloje të agranulocitozës. Njëra është e trashëgueshme për shkak të një çrregullimi gjenetik dhe me të cilin lind një person, ndërsa lloji tjetër i agranulocitozës shkaktohet nga ndikimet e jashtme dhe quhet i fituar. Më shpesh ndodh si rezultat i marrjes së ilaçeve të caktuara ose ekspozimit ndaj kimikateve.

Shkaqe të tjera përfshijnë rrezatimin, disa sëmundje autoimune të tilla si lupus ose artriti reumatoid, kanceri i palcës kockore, kimioterapia, infeksione të tilla si tuberkulozi dhe malaria, ilaçet që përdoren për trajtimin e gjëndrës tiroide dhe marrja e pamjaftueshme e vitaminave (veçanërisht vitamina B12) dhe mineraleve.

Agranulocitoza ndodh në të dy gjinitë dhe mund të ndodhë në të gjitha grup-moshat.

Si të njohim agranulocitozën?

Simptomat mund të shfaqen papritur, dhe të shfaqen gjatë një periudhe kohore dhe janë të njëjta me simptomat e gripit.

Personi më së shpeshti do të ndiejë:

• ethe

• rrahje të shpejta të zemrës dhe vështirësi në frymëmarrje

• presion i ulët

• dobësi muskulare

• gojë të thatë dhe dhimbje të fytit

• gjakderdhje nga mishrat e dhëmbëve

• plagë në gojë që ndikojnë në gëlltitje

• dobësi

Si diagnostikohet agranulocitoza?

Gjendja zbulohet nga mostra e urinës dhe testi i gjakut që tregon numrin e qelizave të bardha të gjakut dhe nganjëherë do të jetë e nevojshme të bëhet një biopsi e palcës kockore. Në fotografinë e gjakut, një person me agranulocitozë do të ketë më pak se 500 neurofile për mikroliter gjak (mcL), ndërsa një person i shëndetshëm do të ketë 1.500 deri në 8.000 neutrofile për mcL gjak.

Mjeku do të dyshojë për këtë gjendje nëse pacienti është shpesh i sëmurë ose nëse ka infeksione të pazakonta, dhe ai do të jetë i sigurt që do të pyesë pacientin se çfarë ilaçesh po merr dhe do të zbulojë historinë e tij mjekësore.

Si trajtohet agranulocitoza?

Trajtohet me antibiotikë që do të zvogëlojnë infeksionin dhe do të lehtësojnë simptomat, si dhe medikamente që do të lejojnë trupin të prodhojë më lehtë qelizat e bardha të gjakut. Është gjithmonë e nevojshme të trajtohet shkaku që çoi në agranulocitozë dhe të eliminohen ose zëvendësohen ilaçet që janë një shkak potencial i kësaj gjendje.

Njerëzit me agranulocitozë mund të jetojnë normalisht pas trajtimit me ilaçe. Sidoqoftë, komplikime të ndryshme mund të ndodhin te njerëzit mbi 65-vjeç, dhe njëra prej tyre është sepsë.

Në njerëzit që kanë sëmundje të tjera, të tilla si sëmundje të veshkave, sëmundje të zemrës ose probleme me frymëmarrjen, kjo gjendje gjithashtu mund të shkaktojë më shumë probleme. Është e rëndësishme që sa më parë të njihet agranulocitoza dhe ta trajtojmë atë.

Përfundim

Agranulocitoza është një gjendje në të cilën nuk prodhohen mjaftueshëm qeliza të bardha të gjakut në gjak. Kjo ndikon në sistemin imunitar dhe infeksionet e shpeshta kalojnë në gjendje shumë më të rrezikshme. Është e rëndësishme të njihet sëmundja me kohë, gjetja e shkakut të problemit dhe të bëhet trajtimi.

Exit mobile version