UBT News

​AGK shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit nën moton “Mediat nuk janë armiku”

Në kuadër të 3 majit, Dites Botërore të Lirise së Shtypit, Agjencioni i Pavarur i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur tryeze diskutimi nën moton “Mediat nuk janë armiku”. Aty u adresuan problemet me të cilat ballafaqohen gazetarët sot.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, përmes një videomesazhi tha se ani pse Kosova vazhdon të shënojë rezultate të larta në rajon sa i përket pluralizmit të mediave, rastet e kërcënimeve dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve vazhdojnë të jenë prezente. Ai ka theksuar që deklaratat nga individët privatë dhe publikë të dizajnuara për të ndikuar te gazetarët që të mos publikojnë informacion janë në kundërshtim me vlerat e OSBE-së.

“Deklaratat nga individët privatë dhe publikë të dizajnuara për të ndikuar te gazetarët që të mos publikojnë informacion janë në kundërshtim me vlerat e OSBE-së si dhe parimet e saj. Siç është theksuar në vitin 2018, vendimi nga Këshilli ministror i OSBE-së për sa i përket sigurisë dhe luftimit të keqtrajtimit apo shqetësimit të gazetarëve… Në këtë rajon Reportërët pa Kufij kanë vazhduar të ngritin shqetësimet për profesionistët mediatikë që kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe verbale. Sulmet kibernetike, shqetësimet dhe fushatat tjera, Kosova vazhdon që të rangohet relativisht lartë në rajon për sa i përket pluralizmit të mediave duke ofruar hapësirë dhe mendim kritik. Por Kosova nuk është e lirë nga këto fenomene, ende kemi raste të kërcënimeve të sulmeve ndaj gazetarëve, duke përfshirë këtu 11 incidente që nga fillimi i vitit 2022”, theksoi Davenport.

Drejtoresha e AGK-së dhe autorja e raportit, Getoarbë Mulliqi Bojaj ka thënë që viti 2021 nuk ka qenë një vit i lehtë në të gjitha sferat. Ajo tha se mediat janë një nga sektorët më te goditur nga pandemia globale e shkaktuar nga COVID-19 si dhe nga ndryshimet politike që kanë ndodhur gjatë vitit 2021 në Kosovë.

Sipas saj, vitin e kaluar nuk është se ka pasur ndonjë lëvizje në kuadër të kornizës ligjore, por ka pasur një tendencë shumë të madhe të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Në vitin 2018 ne kemi pas 17 raste të sulmeve, në vitin 2019 janë raportuar 21 raste, ndërsa gjatë vitit 2020 janë regjistruar 24 raste dhe në vitin 2021, ky numër i sulmeve, kërcënimeve dhe ngacmimeve ndaj gazetarëve është rritur në 29… Për më tepër 23 nga 29 raste të regjistruara në AGK që kanë ndodhur në vitin 2021 janë raportuar në Polici, dy prej të cilave janë ende në hetim, ndërsa dy raste të tjera të cilat AGK nuk është njoftuar që gazetarët kanë zgjedhur të mbesin anonim, personat janë marrë në mbajtje për 48 orë. Fatkeqësisht trendi i kërcënimeve verbale të gjuhës denigruese nga zyrtarët publikë dhe politikanët përmes mediave sociale është rritur, është shqetësuese duke pas parasysh faktin që personat përgjegjës që duhet të respektojnë dhe promovojnë lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve janë pikërisht ata të cilët po e shkelin atë”, tha ajo.

AGK vlerëson se sulmet dhe ngacmimet e gazetarëve janë në rritje dhe nga kjo institucionet e vendit duhet të krijojnë një ambient më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj ka thënë që ka mungesë të kodeve të brendshme, ndërsa ka thënë që shqetësuese mbetet jotransparenca pasi që gazetarët e kanë të pamundur të kenë qasje në dokumente.

“Ne kemi mungesë të kodeve të brendshme, të paktën jo në formë të shkruar të mediave të shkruara, respektivisht online. Por kjo nuk nënkupton se mungon kodi i etikës. Kodi i etikës ekziston, respektohet në masë të madhe por ka edhe problemet e veta të cilat evidentohen, sidomos në ankesat të cilat vinë në Këshillin e mediave të shkruara, shqyrtohet dhe pastaj merret vendimi për to. Në kohën e fundit ka shtim të ankesave të cilat vijnë dhe kjo është një tregues i rritjes së ndërgjegjësimit edhe nga institucionet në këtë rast por edhe nga qytetarët në mënyrë që ata të sjellin ankesa dhe të kërkojnë të drejtën e tyre. Por shqetësuese mbetet ana tjetër, besoj që jo transparenca është jashtëzakonisht e theksuar, sidomos në vitin e fundit. D.m.th. ne kemi aq jo transparencë, sa që gazetarët në masë të madhe e kanë të pamundur të kenë qasjen në informacion dhe në dokumente publike, dhe kjo domosdoshmërisht që ndikon edhe në mënyrën e raportimit”, tha ai.

Ndërsa ai ka shtuar që shqetësimi shtohet kur përfaqësuesit e institucioneve nuk ndjekin rrugët e duhura në kuptimin e respektimit të legjislacionit.

Kujtojmë që Kosova është renditur në vendin e 61 në botë sa i përket lirisë së shtypit dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit, dhe me vitet paraprake.

Exit mobile version