UBT News

​Afishet e “Brigadës veriore”, Musliu: Përpjekje e kriminelëve serbë për t’ia rritur vlerën Vuçiqit në Bruksel

Grafitet të cilat u shfaqën sot në veri të Mitrovicës, ku thuhet “Mos u shqetësoni! Jemi këtu! Po presim!” kanë frikësuar qytetarët e asaj pjese, të cilët shprehin shqetësimin dhe frikën e tyre për një situatë kaotike të mundshme. Por eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se krejt kjo është vetëm një përpjekje e kriminelëve serbë për t’ia rritur vlerën presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Sipas tij, para tyre qëndron një formacion i ri serb paramilitar. 

Në anën tjetër, qytetarët serbë në veri nuk pranojnë të flasin publikisht, por prapa kamerës, kanë bërë të ditur se janë të frikësuar për mesazhe të tilla nga e ashtuquajtura ‘Brigada veriore’.

Sipas tyre, katër qytetet veriore të vendit, sidomos veriu i Mitrovicës, janë mbushur me njerëz të panjohur, që supozojnë të jenë nga Serbia, dhe të cilët siç u shprehën ata, mezi s’po presin t’i ‘fryjnë zjarrit’, ndërsa në lidhje me “Brigada veriore” thanë se nuk kanë dëgjuar kurrë.

Në anën tjetër, Albert Kurtiq, nga veriu i Mitrovicës, i cili aktualisht jeton në Beograd, thotë se në parim është kundër grafiteve, përveç nëse ato pasqyrojnë artin dhe përçojnë mesazhe pozitive. Ai nuk ka dëgjuar asnjëherë për ‘Brigada veriore’ dhe nuk din kush është autori i këtyre grafiteve.

“Jam kundër grafiteve, por nëse këto grafite pasqyrojnë artin dhe ndonjë mesazh pozitiv, atëherë pajtohem me to… Nuk i kam parë akoma grafitet për t’ju thënë nëse janë pozitive ose negative, por qëndrimi im i vetëm për grafitet është ai që thashë…Nuk jam i njoftuar për ‘Brigadën veriore’, nuk jam në politikë andaj nuk di asgjë rreth kësaj”, ka thënë Kurtiq.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë se pas formacioneve paramilitare serbe, që siç thotë ai, sot u paraqitën me emrin e ri “Brigada veriore”.

“Pas ‘Rojave të Urës’, ‘Mbrojtjes Civile’ e formacioneve te tjera, tash Vuçiqi e Radoiçiqi paraqiten me këtë formacionin e ri paramilitar ‘Brigada Veriore’. Sado që në plan të parë kjo duket një kërcënim ndaj sigurisë në Kosovë, unë më shumë po e shoh si një huti dhe përpjekje të kriminelëve serbë për t’ia rritur vlerën Vuçiqit sot e tutje në Bruksel”, ka shkruar Musliu në Facebook. 

Exit mobile version