Komuna e Vushtrrisë, përmes Drejtorisë së Administratës, ka ofruar mbi 30 mijë shërbime për qytetarët e saj, e këtë vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Digjitalizimi i shërbimeve ka bërë që pritja në radhë të jetë minimale dhe shërbimet të kryhen shumë shpejtë.
Drejtoresha e Administratës në komunën e Vushtrrisë, Edona Gashi, thotë se po vazhdojnë që të investojnë në digjitalizim të shërbimeve, me qëllimin e vetëm që qytetarëve t’ju ofrojnë shërbime efikase.
Në zyrën e gjendjes civile gjithçka funksionon janë në mënyrë elektronike, si ofrimi i shërbimeve ashtu edhe menaxhimi i pritjes në radhë.
“Në raportin gjashtëmujor që e kemi bërë, prej janarit deri në qershor të vitit 2021 janë diku mbi 30 mijë shërbime që janë ofruar në Drejtorinë e Administratës, në njërin prej sektorëve… Drejtoria e Administratës për momentin ka katër sektorë, është koncepti i ‘one stop shop’ është ideja që qytetari t’i drejtojë kërkesat edhe ankesat tek sportelet e Qendrës për Shërbim me Qytetarët dhe në të njëjtën kohë ato të procesohen prej sporteleve në drejtoritë përkatëse… Tash së fundi e kemi vënë në funksion edhe e-kioska, e kemi ridizajnuar me një dizajn më modern për ta bërë më të lehtë qasjen e qytetarëve nëpër dokumente. Do të thotë ata që nuk munden të presin në rend shkojnë edhe drejtohen tek e-kioska, bëjnë kërkesën për të marrë njërin prej dokumenteve edhe e kryejnë aty për aty shërbimin”, thotë ajo.
Gashi thotë se si komunë ndër vite janë shpërblyer edhe me shumë çmime për transparencë dhe llogaridhënie.
“Komuna e Vushtrrisë ka marrë shumë shpërblime ndër vite, në vitin 2019 ka marrë shpërblimin si një ndër top pesë komunat me transparencë të lartë. Ka marrë edhe shpërblime të tjera për transparencë dhe për llogaridhënie nga organizata të ndryshme të huaja”, thotë Gashi.
Qytetarët e vlerësojnë efikasitetin e administratës së komunës së Vushtrrisë në ofrimin e shërbimeve.
Qytetari Berat Aliu, thotë se për një kohë shumë të shkurtër kohore u pajis me certifikatë të lindjes, teksa shprehet se shërbimi është shumë profesional.
“Erdha për ta marrë një certifikatë në komunë, shërbimi është shumë profesional, brenda minutës u krye çdo shërbim, në rregull është gjithçka”, thotë ai.
Edhe qytetari Faik Pronaj u shpreh i kënaqur me shërbimin që mori në administratën e Komunës së Vushtrrisë.
“Shumë të kënaqur jemi, janë duke punuar shumë mirë, shërbimet shumë të shpejta….Për një minutë, shumë shpejt”, thotë ai.
Drejtoria e Administratës në komunën e Vushtrrisë është e organizuar në katër sektorë, si Zyra e Gjendjes civile, Sektori për Punë të Përbashkëta dhe Teknologji Informative, Qendra për Shërbim me Qytetar dhe Zyra për të Drejtat e Njeriut.