Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e akuzoi sot kryeministrin Albin Kurti se po shkatërron aleancën me aleatët ndërkombëtarë dhe veçmas ShBA-në.
Abdixhiku, në një konferencë për medie tha se situata në veri është një aventurë e rrezikshme e Kurtit.
“Sot Albin Kurti ka zgjedhur të luftojë me aleatët ndërkombëtarë, kjo është e rrezikshme dhe nuk e ndihmon Kosovën”, tha ai.
Abdixhiku tha se e kanë ftuar Kurtin në seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për të raportuar për këtë situatë.
Ai kërkoi nga presidentja që të flasë dhe mos të heshtë për vendosjen e masave të ShBA-së ndaj Kosovës.
Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.