UBT News

​Abdixhiku kritikon qeverisjen njëvjeçare të Kurtit: Nuk do ta imitojë opozitën e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë Kurti 2 për qeverisjen njëvjeçare.

Abdixhiku tha se për 12 muaj, kjo qeverisje është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën, e me theks thotë se është përcjellë edhe me dështime që nga kriza e pandemisë, kriza e energjetikës e deri tek rritja e çmimeve. Ai pati kritika edhe për politikën e jashtme për çka tha se kjo qeveri u karakterizua nga skandalet e pariparueshme për Kosovën

“Përgjatë 12 muajve të shkuar kjo qeverisje e paaftë është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara dhe mungesë e qartë e vizionit zhvillimor për Kosovën. Është përcjellë edhe me braktisje të kauzave fundamentaliste për të cilat ka ardhur në pushtet, edhe është braktisja siç është më e rëndësishmja me largimin prej qëllimeve kryesore që një qeverisje ka e që është adresimi i halleve dhe problemeve të qytetarëve tanë. Nga kriza e pandemisë e deri tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve, qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët tanë dhe me betejën e tyre me përballueshmërinë të sillet vetëm si vështruese e krizave”, tha ai.

Abdixhiku drejtoi kritika edhe për prezantimin e Kosovës në politika të jashtme.

“ Në politikë të jashtme kjo qeveri është karakterizuar nga skandale e me dëme të pariparueshme për pozitën e vendit me komunikime të turpshme e amatoreske dhe diskurs jo adekuat diplomatik. Mbi të gjitha është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtarë, përjashtuar takimet e forumeve të përbashkëta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk ka pasur ndonjë takim të nivelit të lartë të institucioneve tona përkatësisht të kryeministrit të qeverisë sonë. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë dhe në rrethana të reja gjeopolitike mos aktivizimi i Qeverisë sonë është humbje e jashtëzakonshme e mundësisë[…]Nuk përjashtohet as qasja e kësaj qeverie në dialog e cila ka treguar një mos renditje të plotë as një prezantim të ndonjë forme dialoguese edhe më pak qartësi në rrugën përpara që Kosova duhet të ketë”, tha Abdixhiku.

Ai foli edhe për zgjedhjet presidenciale e parlamentare të Serbisë në 3 prill dhe qëndrimin e Qeverisë Kurti për mbajtjen apo jo të këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Me këtë rast Abdixhiku tha se tani kryeministri, Albin Kurti do të përballet me realitetin politikë ku komunikim me faktorët ndërkombëtar është esencial.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër në vazhdimësi ka dhënë fjalë të mëdha sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe tani përballet me realitetin politik ku komunikimi me faktorët ndërkombëtarë është esencial ku gjuha e përbashkët për interes nacional është domosdoshmëri politike dhe përderisa ka dhënë fjalë të mëdha për këtë temë le ta trajtojë tani vet përballjen me këtë temë”, tha ai.

Në konferencën për medie Abdixhiku u pyet edhe se a do ta bëjë opozitën e Kurtit, për çka u tregua i prerë se një opozitë të tij nuk do ta bëjë asnjëherë. Madje theksoi se të mos i kërkohet atij që ta imitojë Kurtin në opozitë sepse një gjë të tillë nuk do ta bëjë asnjëherë.

“Guximi në politikë është bazë esenciale e veprimit të secili. Për ne është e rëndësishme që Kosova të ketë stabilitet institucional sepse vazhdimësia e zgjedhjeve të parakohshme siç e kemi pasur deri më tashmë tre palë zgjedhje për tre vite ka qenë e padurueshme për vendin. Por në anën tjetër do të përgatitemi për zgjedhje kurdo që vijnë ato dhe unë kam thënë edhe në kuvend se qeveria do të rrëzohet nga vetja jo nga ne[…]Ajo çka mund të them është se ne do të bëjmë opozitën tonë origjinale për ne, me qytetarët tanë. Nuk do të bëjmë opozitën e Kurtit në Kosovë, ka vdekur ajo opozitë në Kosovë duhet të vdes, është shkatërrimtare, është e rrezikshme për vendin, është jo e qëndrueshme dhe është mashtruese siç po del edhe sot. Mos kërkoni nga unë që ta imitojë Kurtin në opozitë sepse nuk do ta bëjë”, tha ai.

E në fund i pari i LDK-së ka përmendur edhe sulmet e ndryshme që ka kjo qeveri kundrejt mediave, pasi që siç thotë ai i ka akuzuar si të lidhura me agjenda dashakeqe për vendin tonë.

Exit mobile version