UBT News

​Abdixhiku dënon rastin në Pejë: Thirrjet e asaj zonje duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj incidentit në Pejë, duke thënë se është i shokuar e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj një zonje të moshuar në shtëpinë e të moshuarve, por edhe nga indiferenca e vëzhgueseve të kësaj dhune.

“Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kishte kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot”, ka shkruar ai në Facebook.

“Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërrmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtuar. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngrihemi të gjithë”, ka shtruar ai.

Ndryshe, sot janë publikuar pamje tronditëse nga ambientet e një shtëpie të të moshuarve ku një e moshuar është rrahur nga një grup vajzash të veshura si infermiere. Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në lidhje me rastin.

Exit mobile version