UBT News

​Abdixhiku: 2 shkurti është data e pranimit të Asociacionit, i kundërpërgjigjet Kurti

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në seancën e sotme parlamentare theksoi se data e sotme, 2 shkurt, është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Deputeti Abdixhiku ka thënë se Kurti e ka futur dialogun në qorrsokak dhe asnjëherë nuk ka raportuar në Kuvend për dialogun me Vuçiqin.

“Kjo datë e sotme e 2 shkurtit 2023 është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës, nuk po them që është mirë a keq, mos më keqkuptoni. Unë po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e vitit 2013 që është tani obligim ndërkombëtar për Kosovën është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është, dhe kushti thelbësor që besoj që jemi pajtuar të gjithë është që ky Asociacion të jetë në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, kjo ka qenë garanca gjithmonë. Tani kryeministri foli për një marrëveshje për një pikë, numër 10, që se dimë, sepse besoni ose jo tash e 6 muaj ky dialogun me Vuciqin, por asnjëherë s’ka ardhur të raportojë në këtë kuvend të Kosovës me deputetët shqiptar dhe jo shqiptar. Sepse kjo qasje e tij, jo vetëm që ka sjellë në ndryshim thelbësor procesit të dialogut këto dy vjet por tani po flasim për një marrëveshje që s’është as ligjërisht e obligueshme e nuk qartësohet interpretimi i saktë i njohjes në të. Mbështetjen e plotë e ke të LDK-së për respektim të rendit kushtetues të Kosovës dhe për përmbyllje të procesit të dialogut. Por, eja raporto në Kuvend për marrëveshjen finale, sepse ke futur dialogun qorrsokak”, theksoi Abdixhiku.

Ndaj kryetarit të LDK-së ka replikuar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik dhe të bart asnjë pushtet publik.

“Nuk e thash një kusht, i thash gjashtë. Dhe është e pa drejt që nga 6 kushtet të përmendet vetëm një. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Por, janë edhe pesë të tjera, Asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik dhe të bartë asnjë pushtet publik. Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave, çfarë do të drejta për serbët në Kosovë, duhet të ketë të drejta edhe për shqiptarët në Serbi”, tha ai.

Abdixhiku sërish i tha Kurtit se Asociacioni po bëhet.

“Kryeministri foli tre minuta, por se mohoi thelbin kryesor. Asociacioni po bëhet, po bëhet, ky është thelbi i diskutimit të tij. Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar saktë se si do të duket ky asociacion. Jo gjashtë, i keni edhe 22 të tjera. Ky është manipulim i opinionit publik dhe juve të shkertërve që duhet t’i fshini të gjitha qëndrimet që i keni pasur deri më sot”, theksoi Abdixhiku.

Nuk u ndal me kaq Kurti, i cili tha se Zajednica nuk kalon. Kryeministri Kurti u shpreh po ashtu i gatshëm të raportojë në Kuvend për dialogun Kosovë-Serbi.

Exit mobile version