Në Parlamentin e Malit të Zi po zhvillohet seancë dhe debat ku është iniciuar mocion për rrëzimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit.
Nisma për thirrjen e mocionit është e Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Millo Gjukanoviq, mbështetur nga pesë parti. Janë 36 nënshkrime të mbledhura deri më tani nga deputetët për thirrjen e kësaj seance, derisa duhen edhe pesë të tjera.
Abazoviq në seancë mes tjerash ka thënë: ”Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar]. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”.
Kryeministri Abazoviq ka shtuar: “Sot ndoshta bashkoheni të gjithë në urrejtje. Herën tjetër bashkohuni ne dashuri. Le të flasim për gjëra reale jo halucinacione e bash për këtë duhet të bashkohemi. Pres diskutimin dhe përpjekjen e sotme për të shpjeguar pse erdhi iniciativa për rrëzimin tim, kush është frymëzuesi dhe çfarë fshihet pas saj”.
Abazoviq është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi më 28 prill, derisa mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë që drejton ai është thirrur pas marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.