UBT News

​Abazi për politikën e jashtme: Prej idesë së ndarjes së Kosovës jemi kthyer në pozicion kredibil

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deklaruar se Qeveria Kurti është duke rindërtuar politikën e jashtme, e cila sipas tij është lëkundur nga ish-qeveritë e kaluara.

Ai në debatin parlamentar për politikën e jashtme në Kuvend, tha se prej idesë për ndarje të Kosovës, ekzekutivi e ka kthyer diplomacinë në pozicion më kredibil.

“Karrigia në OKB mirë që nuk është reale sepse nuk ka qenë reale edhe në momentin që keni dashtë me e nda Kosovën. Ideja që ju keni propaganduar se mund të bëhemi anëtare e Kombeve të Bashkuara duke ndarë Kosovën ka qenë po aq joreale po sa është sot, pasi është Rusia me të drejtën e vetos. S’kemi nevojë me i hedh hi syve të popullit… Edhe në ambasada është paguar me para të taksapaguesve për ndarje të Kosovës. Ky është problem, jemi kthyer prej ndarjes në një pozicion më kredibil për vendin”, tha ai.

Ai sugjeroi partitë opozitare të mos i fryjnë armiqësisë me ShBA-në, pasi një gjë e tillë siç tha ai, nuk ekziston.

“Në listën e zezë të amerikanëve nuk janë anëtarët e LVV-së, janë njerëzit që krimin dhe korrupsionin e kanë pasur instrument të politikës së jashtme, njerëz që e kanë shtyrë Kosovën drejt ndarjes, janë njerëzit e PDK-së. Mos i fryni armiqësisë me ShBA-në, pasi nuk i hynë në punë Kosovës ajo punë”, tha ai.

Abazi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend tha se ndalimi i referendumit dhe zgjedhjeve serbe e ka kthyer Kosovën në pozicion bilateral me Serbinë.

Ndërkohë tha se mungesa e njohjeve është vazhdimësi e ish-qeverive të kaluara që e kanë afatizuar dialogun me Serbinë.

Exit mobile version