Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar rezolutë në lidhje me mos liberalizimin e vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri gjatë debatit parlamentar ka deklaruar se përmes kësaj rezolute, deputetët do të shtyjnë përpara reformat për shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsionit e zbatim të ligjeve.
Po ashtu, Tahiri ka theksuar se qeveria duhet të punojë në avancimin e platformës shtetërore, varësisht zhvillimeve të Bashkimit Evropian.
Ai tha se kjo rezolutë është e nevojshme dhe kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve të Kosovës.
“Është momenti vendimtar kur Kuvendi i Kosovës në pajtim të plot me detyrimet kushtetuese, paraqes këtë rezolutë për të shprehur qëndrimet si më poshtë: Deputetët e kuvendit zotohemi se do t’i shtyjmë përpara të gjitha reformat që garantojnë shtetin e së drejtës, nisma kundër korrupsion, projektet për punësim dhe zhvillim, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, garancinë për institucionet e pavarura, mbikëqyrjen e rreptë të qeverisjes në raport me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Si dhe garantimin e çdo standardi evropian mbi të dhënat personale dhe gjendjes civil, kontrollin trafikimit me qenie njerëzore dhe luftimin e pa kompromis të të gjitha formave të trafiqeve me narkotikë”, ka thënë ai.
Përmes kësaj rezolute, Tahiri tha se të gjitha subjektet politike zotohen dhe angazhohen në sigurimin e garancive që institucionet ligj-zbatuese i kanë dhënë shteteve anëtare të BE-së në raport me sigurimin e lëvizjes së lirë.
“U bëjmë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës, si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE. Ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes. Kuvendi fton Këshillin Evropian të marrë vendim meritor për marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shëngen për qytetarët e Kosovës. Qeveria e vendit të punojë në avancimin e platformës shtetërore, politike, ekonomike kundruall zhvillimeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, përfshirë refuzimin eventual të liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdimin e status quo-s dhe të gjithashtu pozicionimit të Republikës së Kosovës pas këtyre zhvillimeve. Platforma duhet t’i prezantohet kuvendit për miratim”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga ekzekutivi përfshirjen e ekspertëve për të ndihmuar në këtë platformë.
Deputeti Besnik Tahiri po ashtu para fillimit të këtij debati parlamentar ka propozuar mocion për vendosjen në krye të rendit të ditës të kësaj pike. Të gjithë deputetët e pranishëm kanë votuar pro këtij mocioni.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë drejt vendeve të BE-së pavarësisht asaj se i ka plotësuar të gjitha kushtet e para, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian.