Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka krijuar një forum të kryetarëve të komunave, si mekanizëm për adresimin e problemeve të komunave në raport me qeverinë qendrore.
Ky forum do të drejtohet me rotacion nga kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Aleanca dhe udhëheqja fillon me Ardian Gjinin e Gjakovës.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ka kohë që qeveria nuk po tregohet bashkëpunuese me komunat.
“Jemi te shqetësuar që Kosova mund të shkojë në kolaps për shkak të krizës energjetike në prag. Jemi dëshmitar qe inflacioni më vend është mbi 14% dhe nuk po shohim veprime konkrete te qeverisë për t’u përballur me këtë situatë. Qeveria po i grumbullon paratë më arkën e shtetit por nuk po i nxjerr ato në artikulim nuk po i kthen në ekonomi. Qeveria ka kohë qe nuk po tregohet bashkëpunuese në raport me komunat”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se AAK ka vendosur të krijojë formimin e kryetarëve të komunave si mekanizëm të adresimit të problemeve ne raport me qeverinë qendrore.
“AAK ka dëshmuar nivel të mire qeverisës, forumi i kryetarëve të AAK ka vendosë të ketë udhëheqjen me rotacion por i pari që do ti prije forumit është kryetari i Gjakovës që është edhe nënkryetari i parë i aleancës”, ka shtuar kreu i AAK-së.