Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri po e konsideron dëshpëruese mospërfshirjen e Ligjit të Pagave në buxhetin e vitit 2023, derisa shprehet se mospërcaktimi i vlerës së koeficienteve është mashtrim.
Ai këto komente i bëri pas takimit me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, i cili po ashtu shprehu brenga që ende nuk dihet vlera e koeficienteve.
Në këtë takim krahas deputetit Tahiri, morën pjesë edhe deputetët tjerë të AAK-së, si Bekë Berisha dhe Albana Bytyqi. Tahiri u shpreh me këtë qasje shihet qartë se Qeveria e Kosovës nuk dëshiron ta fut në zbatim Ligjin e Pagave gjatë vitit 2023.
“Ka një mungesë të madhe të transparencës që lidhet me vlerën e koeficientit se çka është vlera e koeficientit më thënë më troç në këtë ligj të Pagave nuk dihet sa është rroga e një zyrtari publik. Gjendjen e bënë më të keqe fakti që në buxhetin që e kemi pranuar ne në Kuvend nuk ekziston as buxhetimi i Ligjit të Pagave dhe njëkohësisht nuk ekziston as vlera e Ligjit të Pagave. AAK kërkon nga Qeveria që me urgjencë të përcaktoj vlerën dhe të buxhetojë Ligjin e Pagave për të hyrë më 1 janar të vitit 2023. Në rrethanat dhe përmbajtjen që sot e ka Ligji i Pagave dhe Ligjit për Buxhet shihet që qartë që kjo Qeveri nuk do ta fut në zbatim rritjen e pagave, ligjin e Pagave në vitin 2023”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri mos përfshira e Ligjit të Pagave në buxhetin e vitit 2023 është mashtrim dhe lojë për kapje të sektorit publik.
Tahiri bëri thirrje që të ndalet lufta ndaj sindikatave, dhe kjo luftë të kthehet në luftë të përbashkët për Qeverinë dhe opozitën për ta jetësuar Ligjin e Pagave.
“Duhet të ndalet lufta ndaj sindikatave dhe kjo luftë të kthehet në luftë të përbashkët të Qeverisë dhe opozitës për ta bërë dhe jetësuar Ligjin e Pagave, kjo qasje e dëmton Kosovën, dëmton organizimin e Administratës Shtetërore dhe mbi të gjitha e cenon të drejtën elementare të zyrtarëve publikë që në këtë kohë të vështirë të paguhen dhe të kenë trajtim të dinjitetshëm. Ky ligj nuk e ka të përcaktuar koeficientin, ky nuk është ligj i pagave, ky është ligj i hierarkisë protokollare të njerëzve që janë në administratë të shtetit, kjo përcaktohet me rregullore dhe punë të tjera. Është tepër dëshpëruese që të shihet që në Ligjin për Buxhet të vitit 2023 të mos ekzistojë buxhetimi i Ligjit të Pagave, rrjedhimisht të mos dihet vlera e koeficientit, ky është një mashtrim i pa precedent dhe një mashtrim që i bëhet 80 mijë njerëzve që punojnë në administratën publike. Loja që bëhet me sektorin publik është lojë për kapje, kapja e shtetit ka vazhduar në shumë institucione tani synimi është me u kap edhe organizata sindikale”, tha Tahiri.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se brenda kryesore e tyre është mos përcaktimi i vlerës së koeficientit. Ai dyshon se është mashtrimi i radhës ngase mund të kenë koeficient të larë por me vlerë më të ulët.
Duke bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës të bëhen zëri i sindikatave, Jasharaj u shpreh se mund të ketë zhgënjim kur për vlera e koeficientit varet nga “teket” e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Vërejtja jonë e kamotshme është pse ligji është vonuar kaq dhe pikërisht kjo vonesë e ligjit nga dërgoi te telashet dhe te greva, ngase po ta kishte realizuar premtimin Sveçla dhe partia në pushtet që na kishin thënë se më 31 mars do të shkonte në parlament, nuk ndodhi as në qershor dhe na doli pastaj ajo kërkesa 100 euro që u demonizua disi…. Në muajin mars, kemi dorëzuar versionin për secilin koeficient, por brengë e jona është dhe dyshojmë se është një mashtrim i radhës kur nuk përcaktohet qartë vlera e koeficientit ngase mund të kemi koeficient në dukje tepër të mëdha, por kur vlera nuk dihet apo bëhet sipas tekeve të ministrit Murati mund të ketë një zhgënjim të ardhshëm ku shihet se ai e cakton vlerën dhe pagat mund të mbesin këto që janë, dhe ne nuk kemi çka fshehim kemi pritur që Ligji i Pagave ta bëjë sistemin arsimor në vendin meritor dhe të kemi paga më të mëdha nga këto që janë”, theksoi ai.
Jasharaj shpreson që nga janari të nisë zbatimi i këtij ligji, në të kundërtën ai thotë se Qeveria do të bëjë lojëra të ndryshme.
“Uroj që janari të na e sjellë ligjin, por një ligj do si do, por një ligj me kërkesat tona me një koeficiente të ditur dhe të jetë janari e jo të jetë siç është thënë atje pas 8 muaj, sepse në ata 8 muaj mund të bëhen lojëra të ndryshme nga qeveria dhe të mos e kemi fare ligjin e shumëpritur për paga”, tha Jasharaj.
Tashmë për Projektligjin aktual të Pagave kanë përfunduar diskutime publike.
Grupi Parlamentar i AAK-së gjatë ditës së sotme do të takohet edhe me Sindikatën e Pavarur të Administratës së Kosovës dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës.