Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar një amendament në të cilin kërkon që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve, pensioni i tyre të jetë i barasvlershëm me pagën minimale.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se partia e tij është e gatshme të debatojë për këtë, dhe një amendament tjetër të propozuar lidhur me pagën minimale. Tahiri ka thënë se me propozimin e këtyre dy amendamenteve po kërkojnë që të fillojë diskutimi çka sipas tij do të prodhonte zgjidhje për çështjen e veteranëve dhe për krizën ekonomike.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deponuar përmes deputetit Bekë Berisha një amendament në të cilin kërkon që deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve të UÇK-së, pensioni i veteranit luftëtar të UÇK-së të jetë i barasvlershëm me pagën minimale, pra ne po e sfidojmë nenin dhe po propozojmë zgjidhje, njëkohësisht siç e dini ne kemi propozuar që paga minimale të jetë më e lartë se kjo që është propozuar nga qeveria, pse në radhë të parë, nëse paga minimale ka qenë 170 euro para një viti, sot paga minimale prej 250 euro më nuk është ekuivalente më 170 të vitit të kaluar, dhe ne kemi propozuar, përmes deputetit Lekaj, që Qeveria e Republikës së Kosovës në fund të çdo viti kalendarik duhet të përcaktojë pagën minimale sipas Këshillit Ekonomik Social, në mungesë të një propozimi të tillë nga Këshilli Ekomomik Social të përcaktohet paga minimale në vlerë prej 370 eurosh neto për këtë vit kalendarik”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se qeveria duhet të reflektojë dhe sipas tij të mos prodhojë kriza.
“Gjendja është e jashtëzakonshme në Kosovë që një vit e sa është kjo qeveri një cent nuk i është rritë askujt paga, askush nuk merr asnjë ndihmë, paketa për rimëkëmbje ekonomike është e mirë në letër por nuk ka kurrfarë efekti në rimëkëmbjen ekonomike. Është mirë që qeveria të mos sjellë konfliktin në parlament, të mos na sjellë tensione në parlament. Qeveria nuk po na sjell ligje të rëndësishme si ligjin e pagave, po na sjell kriza dhe bllokadë, zhbllokimi i kësaj situate fillon me trajtimin e dy amendamenteve tona që prodhojnë zgjidhje për situatën aktuale, për të dy jemi të gatshëm të flasim”, ka thënë ai.