Në kuadër të veprimtarive që po zhvillohen për të shënuar 40-vjetorin e “Pranverës shqiptare ’81”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka mbajtur sot një akademi letrare.
Në këtë akademi letrare janë paraqitur poezi të autorëve të ndryshëm që flasin për atë periudhë të lavdishme.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica tha se ngjarjet e vitit ’81 mbeten të një rëndësie të veçantë historike. Ai tha se demonstratat e 40 viteve më parë u shndërruan në kryengritje për të kërkuar lirinë e vërtetë të shqiptarëve, që tha se gjatë kishin duruar nën thundrën jugosllave.
“Ngjarjet e vitit ’81 të shekullit të kaluar kur vajzat e djemtë më dinjitoz do t’i prijnë popullit të shumëvuajtur nën pushtimin titist, i cili dekada të tëra po masakronte dhe po torturonte një popull të tërë, të cilin më parë e kishin shkëputur nga e ëma dhe si të tillë edhe në Jugosllavi e kishin copëtuar në tri-katër pjesë, mbeten të një rëndësie të veçantë historike. Po vinte kjo periudhë pas viteve ’60 kur kishin dalë në sipërfaqe një varg dëshmish për trajtimin kriminal të popullit shqiptar nga ’45 me luftën heroike të Shaban Polluzhës dhe të heronjve të shumtë që do të sakrifikohen për liri. Për të vazhduar me heroizmat gjatë aksionit të armëve dhe dëbimit të shqiptarëve për në Turqi për të dalë një organizatë e veçantë në krye me patriotin gjithashtu tepër të veçantë Adem Demaçin për të kërkuar bashkimin e trojeve të pushtuara shqiptare në shtetin amë, Shqipërinë dhe më pas me demonstratat e lavdishme të vitit 1968 për të arritur në vitin e madh 1981, kur protestat masive pothuajse do të shndërroheshin në kryengritje do të pushtonin Kosovën për të kërkuar lirinë e vërtetë të shqiptarëve që gjatë kishin duruar nën thundrën jugosllave. Po në fund të viteve 80 dhe në vitet 90 për të dalë nga zgjedha do të arrijnë kulmin me luftën e UCCK-së për ta arritur lirinë me shumë sakrifica”, tha ai.
Ndërsa, nga Shoqata e të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni tha se ngjarjet e vitit ’81 vazhdojnë të jenë të një rëndësie të jashtëzakonshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Duket e pazakonshme të shënohet me orë letrare një lëvizje e tillë tektonike, por me të vërtetë përvoja ka dëshmuar të vërtetën e mirënjohur se lëvizjet e mirëfillta çlirimtare krahas përkushtimit dhe bashkimit luftarak dallohen po aq mirë edhe me dimensionin e tyre autentik shpirtëror, kulturor e artistik. Për mëmëdhe, për mëmëdhe me penë e me pushkë, me pushkë e me penë, ishte një moto e rilindësve tanë prijatar, një moto që është përqafuar pastaj nga të gjithë brezat e vazhdimësisë atdhetare çlirimtare”, tha ai.
Profesori Agim Vinca ka lexuar një poezi të shkrimtarit Ilaz Bobajt, e të cilën tha se e kujton gjithmonë.
“Te varret e familjes Jashari përballë njëri-tjetrit qëndrojnë të dy palët, flasin të vdekurit e heshtin të gjallët”, tha ai.
Në këtë ngjarje është përuruar edhe librin “Format specifike të komunikimit të organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav”, të autores Rudina Zeqiri.