Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B për shkak të veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të akuzuarit E.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
I pandehuri E.B dyshohet se gjatë periudhës kohore 1998-1999 në Komunën e Istogut, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me personat ende të pa identifikuar, në cilësinë e policit në Stacionin Policor në Gjurakovc, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre, në atë mënyrë që me datë 08.05.1999 në fshatin Saradranë e kishin sulmuar konvojin e popullsisë civile e cila po lëvizte nga komuna e Istogut në drejtim të Komunës së Klinës dhe kur arrijnë në fshatin Staradranë, ndalen nga forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i dyshuari, ashtu që fillimisht i plaqkisin civilët e më pastaj i ndajnë burrat nga grat, e më pastaj i sulmojnë duke i vrarë rreth 18 civilë të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin pjesëmarrës në konflikt, me ç‘rast ishin vrarë viktimat civile. Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.