Në pikën kufitare në Vërmicë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, prej tyre dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë. Arrestimi ndodhi gjatë operacionit të koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
“Operacionit të sotëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare ‘Perëndimi’ në Gjakovë respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë. Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale. Bazuar në këto veprime të suksesshme hetimore, IPK në kuadër të operacionit ‘Pika 2’ ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë (duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë), që të gjithë të dyshuar për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ ‘marrje e ryshfetit’”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Inspektoratit Policorë dhe Porkurorisë Speciale.
“Nga realizimi i veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit në këtë rast janë të involvuar në veprimtari kriminale të veprës penale të ‘marrjes së ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar’ . Si pjesë e procedurave administrative nga IPK është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu u tha se “Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri) që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në Republikën e Shqipërisë”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur detaje nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në pikën kufitare të Morinës.
Në njoftimin për mediat, SPAK deklaron se procedimin penal për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës. Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, deklaron SPAK.
Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Masat e sigurimit personal janë: ‶Arrest në burg‶ për 17 persona punonjës policie, ‶Arrest në shtëpi‶ për 14 shtetas dhe punonjës policie si dhe ‶Pezullim nga detyra‶ ndaj 3 punonjës policie.
SPAK thekson se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentin e Policisë Kufitare, kanë ekzekutuar sot masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatë.
Kujtojmë që më 14 mars IPK dhe Prokuroria Speciale kishte një aksion të quajtur “Pika” e ku ishin arrestuar 48 policë.
Ata u patën arrestuar në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë” e që dyshohen se janë të përfshirë në mbi 400 veprimtari kriminale të veprës penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.