UBT News

​26 persona kapen duke luajtur bixhoz në Gjakovë

26 persona janë kapur duke luajtur bixhoz në Gjakovë. Gjatë kontrollit policia ka gjetur edhe armë e substanca narkotike.

“Me datën 28.12.2021, rreth orës 00:30, Policia e Kosovës në Gjakovë ka pranuar një informate se disa persona ndodheshin duke luajtur lojëra të fatit. Policia ka reaguar me njësitet saj policore dhe aty ka hasur njëzet e gjashtë (26) persona të dyshuar të cilët ishin duke zhvilluar aktivitetin e kundërligjshëm. Gjatë bastisjes dhe kontrollit në lokacion policia ka gjetur një armë dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kanabis”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ndaj personave të dyshuar janë shqiptuar gjoba për mosrespektim të orës policore.

“Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë intervistuar. Bazuar në ligjin në fuqi të gjithë të dyshuarve iu është shqiptuar nga një gjobë për mosrespektimin e orës policore. Në vendngjarje ka dalur edhe njësia e hetimeve ku është bërë konfiskimi e armës, sasisë së substancës narkotike dhe të gjitha provat dhe dëshmitë për aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje thuhet se ‘Në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori kujdestar ku me urdhër të tij, iniciohen tri vepra penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm’ ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ për hetime të mëtejme në procedurë të rregullt”.

Exit mobile version