Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha të martën se ushtria ka gjetur rreth 1 mijë e 500 trupa të palestinezëve të armatosur në vendbanimet përreth Gazës.
“Në ditët e kaluara, ushtria izraelite gjeti jo më pak se 1 mijë e 500 trupa të armatosur palestinezë brenda territoreve izraelite”, tha zyrtari i ushtrisë izraelite në kushte anonimiteti për Anadolu.
Megjithatë ai nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë çështje. Pala palestineze, veçanërisht grupi Hamas, ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e ushtrisë izraelite.
Gjatë tre ditëve të fundit, krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam publikoi disa video të luftëtarëve të saj që hynë në objektet ushtarake izraelite rreth Gazës, të cilat gjithashtu treguan ushtarë izraelitë që vriteshin dhe arrestoheshin.
Grupi palestinez i Hamasit nisi operacionin ‘Al-Aksa Flood’ kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke depërtuar në Izrael nga toka, ajri dhe deti. Ai tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, dhe rritjes së dhunës kundër palestinezëve.
Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurta’ kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 704, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza të martën herët. Sipas ministrisë numri i të plagosurve është rritur në rreth 4 mijë.
Të paktën 900 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2 mijë e 600 të tjerë janë plagosur në luftime, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.