UBT News

​100 ditët e Qeverisë Kurti

Qeveria Kurti sot bën 100 ditë prej se është votuar në Kuvendin e Kosovës. Pas konstituimit të Kuvendit dhe mes diskutimeve të shumta, kabineti qeveritar i kryeministrit Kurti mori besimin e të zgjedhurve të popullit, më 22 mars të këtij viti.

Prej kur mori detyrën, një ditë më pas, ekzekutivi në krye me kryeministrin Kurti mbajti gjithsej 17 mbledhje qeveritare, e tek në mbledhjen e 11, miratoi programin qeverisës dhe agjendën legjislative, derisa ende nuk e ka miratuar planin e punës.

Vëmendje dhe prioritet të veçantë në këta tre muaj iu kushtua dialogut Kosovë-Serbi dhe diplomacisë kosovare.

Kryeministri Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb Vuçiq më 15 qershor, paraprakisht kishte refuzuar një takim të tillë më 11 maj. Gjatë këtyre ditëve, i pari i qeverisë, aktiv ishte edhe në vizitat zyrtare jashtë vendit.

Për dallim prej të kaluarës, Kurti vizitën e parë e bëri në Bruksel gjatë fundit të muajit prill, derisa pak ditë më vonë, ia mësyu sërish kryeqendrës evropiane për një darkë joformale me liderët rajonalë. Takim me këta të fundit, kryeministri Kurti zhvilloi gjatë samitit të Tiranës dhe Vjenës në muajin qershor. Teksa së fundmi u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Edhe këtë 100 ditësh, kreu i ekzekutivit nuk ia la keq shkarkimeve dhe emërimeve në bordet e ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, inicioi koncept-dokumentin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe fillimin e hartimit të procesit të vetingut.

Ndërsa së fundmi miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021. Në mbledhjen e kësaj jave, Qeveria e Kosovës miratoi disa projektligje, ndër to mori vendim të mbulojë obligimet e Primit të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, duke folur ditë më parë për KosovaPress për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti, tha se është në rrugë të mbarë për implementimin e premtimeve gjatë fushatës zgjedhore.

“Pjesa e ç ‘kapjes së shtetit, çka është shumë e rëndësishme për ne është në rrugë të duhur. Ka shumë institucione të pavarura që po iu kthehet kredibiliteti i humbur si rezultat i ndikimeve partiake dhe politike, e për fat të keq të njëjtën akuzë po e bënë opozita ndaj neve, por e cila nuk qëndron. Pra po shohim dita ditës që gjërat kanë filluar të kthehen në binar, por duhet ende shumë punë. Në këto tre muaj të kësaj qeverisje i konsideroj si shumë produktive dhe presim që ditëve në vijim të shtohet ky intesitet i punës dhe t’i shohim të realizuar të gjitha premtimet e fushatës”, kishte deklaruar Abrashi.

Partia Demokratike e Kosovës adresoi një varg kritikash për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti II. Në partinë më të madhe opozitare, thonë se ekzekutivi, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është i dobët, pasi në këta tre muaj nuk ka pasur asnjë vendim ose politikë që e ka shtyrë përpara për qytetarët.

“Kjo qeveri është më e dobët se sa kanë menduar edhe më skeptikët. Përfshirë edhe mua si opozitar, kam pritur më shumë prej saj. Fillimisht nuk arriti për më shumë se dy muaj të miratojë programin qeverisës dhe programin që e miratoi ngjante më shumë një hartimi shkollor se sa një program i mirëfilltë qeverisës, ishte i ndryshëm prej asaj që kishte premtuar në fushatë zgjedhore. Mandej, u shoqërua për këto 100 ditë me gafe dhe skandale të shumta si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Ende edhe sot jemi vendi që kemi më së paku vaksina për kokë banori. Derisa është dashur të merret me vaksina, kjo qeveri është marrë me fushatë zgjedhore në një vend tjetër. Mandej kemi pa një trajtim skandaloz në aspektin ndërkombëtar nga ministrja e Punëve të Jashtme, por edhe me deklarata në aspektin e brendshëm. Kemi parë një tendencë për të kapur të gjitha institucionet, për më pak se 100 ditë të gjitha ndërmarrjet publike i ka kapur kjo qeveri, ka filluar edhe tek institucionet e pavarura”, deklaroi anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi.

Lidhja Demokratike e Kosovës kritikoi Qeverinë Kurti për keqmenaxhim dhe mungesë të dijës në udhëheqje. Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija tha për KosovaPress, se në rreth 100 ditë qeverisje u panë se gjitha kauzat e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë vetëm për përftime elektorale.

“Sa i përket këtyre 100 ditëve kemi parë një menaxhim jo të mirë të shëndetësisë, kemi parë një qasje jo të mirë diplomatike, kanë qenë skandalet e njëpasnjëshme në diplomacinë kosovare, ka pasur një ndryshim të fjalëve, jo CEFTA, jo premtimeve. Në fakt nuk e di a është realizuar një prej panumërt premtimeve të cilat zotëri Kurti kanë fituar këto zgjedhje. Prandaj këto 100 ditë janë karakterizuar me mohimin e të gjithë atyre premtimeve që janë dhënë, jo vetëm gjatë fushatës, por gjatë shumë viteve si parti në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu edhe një mungesë e dijës së menaxhimit, që shumë kush e ka quajtur qeveri e praktikantëve”, thotë Sahatqija.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideroi Qeverinë Kurti më të dobëtën që nga shpallja e pavarësisë. Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi për KosovaPress, se përveç shkarkimeve dhe “ngarkimeve”, Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë në këta tre muaj qeverisje.

“Me veprimet e deri të tanishme mund ta quaj qeverinë̈ më të dobët që e ka pasur Kosova pas pavarësisë̈. Kjo më jep me kuptuar që këta kanë ardhur më shumë me inate, çka ka qenë në të kaluarën mos me pranuar, por të jenë në kuptimin që 20 vjet këta kanë bërë të këqija dhe tash po të njëjtat po i veprojnë me institucionet e pavarura… ata po sjellën në arrogancën e numrave dhe po sillet sikur opozitë, në vend që me vepruar dhe përmirësu jetën e qytetarëve dhe mbështetjen e atyre që kanë humbur vendet e punës, këta po vendnumërojnë. Për këtë e thash, me dashamirësinë më të madhe kisha dashur të gjejë diçka pozitive për këtë qeveri…përpos shkarkimeve dhe ngarkimeve, këta nuk kanë bërë diçka të mirë edhe ato shkarkime që po i bëjnë pa pasur një raport paraprak”, tha Lekaj.

Shoqëria civile e velrësoi sit ë ngadalshme dhe pa vendime të mëdha punën 100 ditore të Qeverisë Kurti.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani tha për KosovaPress se krahas pritjeve të qytetarëve dhe premtimeve në fushatë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë përmbushur të njëjtat, derisa, shqetësuese sipas saj është mos publikimi i planit vjetor të punës.

“Mund të them se ka qenë një 100 ditësh më i ngadaltë nga ajo që është pritur nga kjo qeveri. Nuk ka pasur ndonjë vendim, ta quaj ashtu më madhor që prek interesin qytetar për këto 100 ditë, në krahasim me pritjet shumë të mëdha të qytetarëve, por edhe premtimeve të kësaj qeverie. Për dallim prej Kurti I që kishte vendime më të mëdha se kjo qeveri, tash Kurti II ka më pak. Çka mund të vërej është një mbyllje, pavarësisht se qeveria ka emëruar dy zëdhënës, kemi dikastere të ministrive që janë po thuajse totalisht të mbyllura…Çka është për neve më shqetësuese është mos publikimi i planit vjetor të punës. Do thotë Qeveria Kurti ka prezantuar programin 4 vjeçar, por jo planin e punës”, thotë ajo.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i vlerësoi hibride 100 ditët e qeverisjes Kurti.

“Kemi parë një performancë hibride edhe nga kjo qeveri. Në kuptimin se ka pasur në disa fusha përparim dhe në disa fusha edhe ngecje. Vlen të përmendet që kemi parë një agjendë ambicioze legjislative me mbi 190 projektligje të parapara. Disa janë dërguar në këtë periudhë, disa jo. Një iniciativë më mirë dhe pozitive është parë në fushën e sundimit të ligjit tek iniciativa për veting dhe ligji për konfiskimin e pasurisë. Ani pse në këtë drejtim ka pasur një tërheqje apo një stepje prapa. Por procesi po shkon mirë. Kemi parë edhe tek pandemia një rezultat miks, ka pasur një lojë ping-pongu mes ministrit të kaluar dhe ministrit Vitia dhe një ambiguitet në menaxhimin e pandemisë, sigurimin e vaksinave dhe të tjera. Pastaj gradualisht kemi pasur një përmirësim të gjendjes edhe në menaxhimin e Covdi 19”, thotë Fetahu.

Më 22 mars, Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konstituimit të Legjislaturës VIII, me kërkesën e 52 deputetëve mbajti seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Me 67 vota për, 30 kundër dhe me asnjë abstenim, Kuvendi i dha besimin qeverisë së re me kryeministër Albin Kurtin.

Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, zhvilloi një ditë më pas mbledhjen e parë ceremoniale, në të cilën u zotua për angazhim dhe veprime konkrete në përballje me sfidat që po kalon vendi ynë dhe qytetarët e Republikë së Kosovës.

Exit mobile version