UBT News

​Zyra e Presidentes pranon kërkesën e Konjufcës për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe

Zyra e Presidentes ka pranuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Pas pranimit të kërkesës, presidentja i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pranuar rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr, ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe të cilët kanë dhënë dorëheqje të hënën.

Deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me deputetë të rinj nga i njëjti subjekt politik.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serb do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Këto veprime kanë ardhur pasi qeveria e Kosovës filloi të zbatoi planin e saj prej tri fazash për regjistrimin e veturave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version