Në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, prokurori Matheë Howling ka thënë se veprimet e të akuzuarve lidhur me dosjet ishin bërë qëllimshëm.
Sipas tij, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke i ofruar dokumentet për mediat i kanë bërë publike emrat të cilët ishin pjesë e atyre dosjeve.
“Ata faktikisht i bënë emrat publik, ata i publikuan emrat, duke i lënë dokumentet e paredaktuara dhe të mbrojtura për gazetarët persona publik këta i nxorën emrat për të gjithë botën për t’i parë, dhe kjo nuk ishte vetëm për thënien në zë të tyre, ishte për komunikimin e këtyre emrave dhe disa faktikisht nga këta emra u thanë me gojë dhe zgjidhja e kësaj kundërshtie thelbësore i kthen fjalët e të akuzuarve në kërcënime, kritikat e tyre në pengim”, ka thënë Howling.
Para trupit gjykues në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë, prokurori Howling ka thënë se në Kosovë vazhdon të mbretërojë klima e frikësimit për dëshmitarët.
“Ka pasur diskutim në deklaratën përmbyllëse, në veçanti rreth frymës së frikësimit, është një frymë e cila ka 15 vjet që është e pranishme, kjo është një lloj relike historike dhe ku është klima moderne e frikësimit të dëshmitarëve në prova. Shihni përreth, kjo është situata, kjo është ndjesia, kjo është klima moderne e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë kjo është ajo çfarë provat e kësaj çështje dëshmojnë dhe këta të akuzuar janë persona të cilët kanë treguar dashjen e tyre për ta çuar më tej këtë klimë. Pra ata do të frikësojnë, do të hakmerren, do t’i bëjnë emrat publik”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për dëshminë e një punonjësi të ZPS-së, Miro Jukiq, të cilën e pati kontestuar mbrojtja.
Sipas prokurorit, dëshmia e tij duhet besuar duke theksuar deklaratat e tij se një numër i dëshmitarëve janë frikësuar dhe kanë kërkuar zhvendosje nga Kosova.
“Është historia që dikush thotë se nuk ndjehet fare i sigurt dhe që atij mund t’i ndodh çdo gjë, është historia e dikujt që ishte në panik dhe që kishte frikë të shkonte në punë, dikush kishte sulme paniku kaq të rënda sa që kishte përfunduar në spital dhe ishte shkaktuar një stres i jashtëzakonshëm për shkak të dokumenteve që kishin rrjedhur nga media, është historia e dikujt që është shumë i zëmëruar, i inatosur, që dëshiron që ai dhe familja e tij të zhvendosen me banim nga Kosova menjëherë, dikush që tha se mund të vritej dhe nuk mund të bashkëpunonte nëse ZPS nuk e zhvendoste familjen e tij diku tjetër me vendbanim. Është historia e dikujt tjetër që u ndje që familja e tij ishte n rrezik i cili u përpoq të merrte hapat e nevojshëm për të siguruar familjen e tij sepse njerëzit dukej që nuk e bënin dallimin ndërmjet dëshmitarëve dhe spiunëve”, ka thënë prokurori.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020, prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.