Një zjarr i madh ka rënë sot në shtypshkronjën e bankës franceze në Chamalieres në Francën qendrore, si pasojë e të cilit 34 persona pësuan lëndime të lehta, sipas mediave lokale, duke përfshirë dhjetë të cilët u dërguan në spital.
Sipas regjistrimeve në rrjetet sociale, mëngjesin e sotëm nga fabrika ka dalë një re e madhe tymi, por autoritetet kanë deklaruar se deri në mesditë kanë arritur ta vënë nën kontroll, shkruan Independent.
Në vendngjarje kanë dalë 70 zjarrfikës. Banka e Francës në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale tha se zjarri është nën kontroll, se ndërtesa është evakuuar dhe se 387 punonjësit që janë gjetur në shtypshkronjë në momentin e rënies së zjarrit janë të sigurt.
Drejtori i shtypshkronjës, Pierre-Yves Buasseno, tha se zjarri do të kishte pasoja të pashmangshme për shtypjen e parave, por shtoi se ata nuk ishin të shqetësuar pasi nuk ishte prekur e gjithë fabrika e prodhimit, duke vlerësuar se mund të ishte më keq.
“Nuk e dimë se si ka shpërthyer zjarri, do të jetë e nevojshme të kryhet një hetim”, tha guvernatori lokal.
Ai shtoi se nuk ka rrezik për banorët e zonës pasi në shtypshkronjë nuk ka pasur lëndë toksike kur ka rënë zjarri.
Çdo vit në këtë shtypshkronjë shtypen 2.5 miliardë kartëmonedha.