Zgjedhjet lokale në Shqipëri po konsiderohen fitore absolute e Partisë Socialiste dhe debakël politik për opozitën. Derisa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, ku deri më tani dihet se nga 61 bashki, PS-ja ka fituar 43 sosh, kurse opozita vetëm shtatë, njohësit e zhvillime politike vlerësojnë se opozita duhet të reformohet që të bëhet alternativë e besueshme për qytetarët atje.
Analisti në Shqipëri, Lutfi Dervishi thotë se zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri janë fitore e qartë e Partisë Socialiste. Ai përmend rënien e opozitës dhe veçmas të PD-së në bastionet e veta, sikur në Shkodër. Sipas tij, opozita ka fituar në bashki të dorës së dytë apo të tretë.
“Ka një fitore të qartë të Partisë Socialiste, një performancë të dobët të opozitës për shkak të disa faktorëve por edhe ndasive që ka mes opozitës. Në rezultate befasuese ishte rënia e Shkodrës që ka qenë një qytet e qeverisur nga forcat djathta dhe PD-ja, përgjatë 33 viteve të fundit. Tirana nuk është se ka ndonjë histori, në kuptimin e rikonfirmimit në detyrë të kryetarit Veliaj, kjo edhe për shkak të avantazhit të dukshëm që ka kur janë numëruar më shumë se gjysma e kutive të votimit. Pritet që nesër të konfirmohet rezultati i 61 bashkive për gjithë Shqipërinë. Koalicioni Bashkimi për Fitoren ka arritur të marrë një rezultat të dobët, kryesisht 5-6 bashki të dorës së dytë apo të tretë”, thotë ai.
Edhe njohësi i zhvillimeve politike në Shqipëri, Ben Andoni, thotë se zgjedhjet lokale në Shqipëri janë dështim i opozitës.
Megjithatë, ai vlerëson se procesi i djeshëm zgjedhor ka pasur ngecje të mëdha në administrimin zgjedhor, fillimisht me identifikimin elektronik. Ai përmend edhe shitblerjen e votave, e cila sipas tij po bëhet në mënyrë të sofistikuar.
“Duket se në këto zgjedhje ka pasur ngecje shumë të mëdha. E para me identifikimin biometrik, e dyta me trajnimin e numëruesve, komisionarëve dhe të gjithë pjesës që duhet të merren me zgjedhje. Ka pasur një gatishmëri jo shumë të madhe të pajisjeve elektronike, të cilat një pjesë janë marrë gati ditët e fundit, pa u kontrolluar. Kjo solli probleme që ne në disa vende kaluam sërish në identifikimin manual, pastaj edhe votimin. Të gjitha këto treguan se akoma administrata jonë vuan problematika të mëdha, të cilat më shumë rrjedhin në fryrje të madhe të administratës dhe politizimin. Tani ka ardhur koha që KQZ-ja të jetë një institucion absolutisht apolitik”, deklaron Andoni.
Në anën tjetër, analisti Dervishi thotë se opozita në Shqipëri duhet të ketë reflektim të brendshëm pas zgjedhjeve lokale dhe jo të kontestojë në mënyrë apriori rezultatet.
“Opozita ka nevojë për reforma dhe figura të reja që të bëhet një alternativë e besueshme. Ka nevojë që të paraqitet disi më ndryshe, pasi pesha e madhe e pushtetit që ka marrë PS-ja prej 10 vitesh në pushtetin qendror dhe tashmë merr shumicën e pushtetit lokal do të duhej të ishte një avantazh për opozitën, por nuk është përkthyer. Reflektimin e brendshëm përveç dosjes së kontestimeve që nuk do të mungojë, duhet të jenë parësore”, deklaron ai.
Ndërkaq, Andoni, thotë se humbja kaq e madhe e opozitës, përkundër që PS-ja është në pushtet që 10 vjet është lajm i keq për demokracinë në Shqipëri.
“Ky është një lajm shumë i keq për opozitën shqiptare. Shpresoj që në mes të tyre të gjenerohen rryma të reja, forca, por e shikojë shumë të vështirë. Partia Demokratike legale që mund të bënte diçka, jo vetëm që nuk arriti të bënte diçka, por një pjesë e tyre u bashkua me zotëri Berisha dhe bënin fushatë me të”, thekson ai.
Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në një numër të madh të bashkive në Shqipëri, ku deri tani dihet që Partia Socialiste ka fituar në 34 bashki. Ndërsa, koalicioni Bashkë Fitojmë, do t’i drejtojë shtatë bashki. Sipas rezultateve të deritanishme, Partia Socialiste ka fituar në Lushnje, Sarandë, Cërrik, Patos, Librazhd, Rrogozhinë, Bulqizë, Gramsh, Belsh, Roskovec, Tropojë, Dropull, Përmet, Skapar, Poliçan, Konispol, Këlcyrë, Fushë-Arrës, Libohovë, Pustec, Kamëz, Vora, Elbasan, Pusteci, Delvinë, Klos, Kolonjë, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë, Peqin, Elbasan, Delvinë dhe Vlorë.
Ndërkohë në Shkodër deri tani janë numëruar 243 qendra të votimit nga 247 sa janë gjithsej. Aty po prin kandidati i PS-së, Benet Bahri Beci.