UBT News

​Zeqiri: PK tregoi profesionalizëm, duhet të jetë prioritet për qeverinë

Policia e Kosovës ka arritur që dje (e diel) në mënyrë profesionale të kryejë detyrën e vet, kur u përball me terroristët serbë në veri të vendit. Kështu thotë kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, derisa shton se humbja e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra në Banjskë të Zveçanit tregon se zyrtarët policorë nuk e kursejnë as jetën e vet.

Derisa konsideron se dje vendi u përball me agresion nga grupe kriminale të dirigjuara nga Beogradi, Zeqiri thekson se si rezultat i kryerjes së punës në mënyrë profesionale, janë shmangur pasoja tjera më të mëdha.

“Rasti që ka ndodhur… në pjesën veriore të vendit është një rast i organizuar kriminal nga grupe kriminale që ne dyshojmë çdo herë që ato janë të dirigjuara nga politika e Beogradit. Unë mund ta them shumë lirshëm që është një agresion ndaj shtetit të Kosovës e që dihet që ataku me ata që atakojnë, kushdo që e sulmon Republikën e Kosovës, janë Policia e Kosovës sepse vetëm ne kemi autorizime ligjore dhe kushtetuese për ta mbrojtur rendin, qetësinë dhe integritetin e këtij vendi, prandaj zyrtari policor, tani më i ndjeri është vrarë në mbrojtje të integritetit të Republikës së Kosovës, njëjtë edhe plagosja e zyrtarit tjetër policor. Kjo ka mundur të jetë edhe më tragjike, prandaj mund të them shumë lirshëm që Policia e Kosovës ka një strukturë mjaft profesionale dhe me përvojë për ta mbrojtur në çdo cep Republikën e Kosovës”, thotë Zeqiri.

Zeqiri thotë se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të ketë prioritet Policinë, kur kjo e fundit po tregon gjithnjë profesionalizimin e saj.

“Definitivisht Policia e Kosovës duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës duke treguar gjithë këtë profesionalizëm, gjithë këtë mund, gjithë aktivitet e gatishmëri duke mos kursyer as jetën e vet. Definitivisht, unë mendoj se jemi shtylla numër një në Republikën e Kosovës dhe vërtet duhet të trajtohemi të tillë, prandaj për Policinë e Kosovës vetëm mund të themi fjalë të mira dhe lëvdata, por duhet gjithsesi të orientohet edhe Qeveria nga Policia e Kosovës dhe t’i plotësojë të gjitha ato kushte edhe ato çfarë mungojnë. Policia e Kosovës e ka dëshmuar veten që duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës”, vijon Zeqiri.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë se qeveria duhet të bëjë shumë edhe për familjen e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra dje nga terroristët serbë.

“Për çdo zyrtar policor që humb jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ashtu sikur për rastin e sotëm, ne kemi të rregulluar disa procedura, do të thotë ka përkujdesje nga vetë institucioni i Policisë së Kosovës dhe nga qeveria. Se çfarë do të bëjë qeveria nuk e di, ndërsa ne e kemi të rregulluar që i jepet një shpërblim për mundin dhe familja e tij, bashkëshortja dhe fëmijët të marrin 80 përqind të pagës bruto, kështu është vepruar edhe më herët dhe kështu do të veprohet edhe në vazhdimësi… Qeveria duhet të bëjë shumë për këtë rast, një përkujdesje e vazhdueshme unë besoj që do të ndodh”, thotë ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

Exit mobile version