Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia ka nisur më shumë se 30 sulme me dronë në Ukrainë në vetëm dy ditë.
Ai shtoi se në total, Moska ka kryer rreth 4 mijë e 500 sulme me raketa dhe mbi 8 mijë sulme ajrore.
Duke folur nga Kievi dhe duke qëndruar pranë atij që dukej të ishte një dron i rrëzuar iranian Shahed, Zelensky u zotua të “kapë krahët” e fuqisë ajrore të Moskës, shkruan BBC.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se Irani i ka furnizuar Rusisë një numër të madh dronësh, por Moska dhe Teherani e mohojnë këtë.
Kjo vjen pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken e quajti përdorimin agresiv të dronëve nga Rusia “të tmerrshëm”.
Diplomati i lartë amerikan akuzoi komandantët rusë për përdorimin e pajisjeve për të vrasje të civilëve ukrainas dhe shkatërrim të infrastrukturës në të cilën ata mbështeten për energji elektrike, për ujë, për ngrohje gjatë një vizite në kryeqytetin kanadez Otava.
“Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët tanë për të ekspozuar, për të penguar dhe për të kundërshtuar ofrimin e këtyre armëve nga Irani”, tha Blinken.
Në javët e fundit, sulmet ruse kanë shënjestruar infrastrukturën civile të Ukrainës, duke dëmtuar furnizimin me energji elektrike dhe ujë të vendit, pikërisht kur temperaturat fillojnë të bien.
Vendet perëndimore thonë se Irani po furnizon Moskën me dronët e tij të zhvilluar brenda vendit dhe se ekspertët ushtarakë iranianë janë në terren në Krimenë e pushtuar nga Rusia për të ofruar mbështetje teknike për pilotët.
Kievi ka identifikuar dronët e përdorur në disa sulme në infrastrukturën e tij si dronë iranian Shahed-136. Ata njihen si dronët “kamikazë” sepse janë shkatërruar në sulm – të quajtur sipas pilotëve luftarakë japonezë që fluturuan në misione vetëvrasëse në Luftën e Dytë Botërore.
Ukraina thotë se rreth 400 dronë janë përdorur tashmë nga Rusia, nga një porosi totale prej rreth 2,000 armësh.
Por Teherani ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ka arritur ndonjë marrëveshje armësh me Kremlinin, dhe Moska gjithashtu mohon përdorimin e dronëve iranianë.
Të mërkurën, ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian i quajti akuzat “të pabaza” dhe i kërkoi Ukrainës “të paraqesë çdo provë që mbështet akuzat”.
“Nëse… na bëhet e qartë se Rusia ka përdorur dronë iranianë në luftën kundër Ukrainës, ne definitivisht nuk do të jemi indiferentë për këtë çështje”, shtoi ai.