Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ndihmë për të shpëtuar njerëzit në Mariupol, në mënyrë që të bëhet evakuimi i civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal.
Ai i ka bërë thirrje të drejtpërdrejt sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që të ndihmojë në evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut, raportojnë mediat e huaja.
Kompleksi ka qenë i rrethuar nga forcat ruse dhe pavarësisht evakuimeve të suksesshme ditët e fundit ka ende civilë dhe ushtarë të bllokuar aty.
Zelensky ka thënë se jetët e njerëzve që mbeten atje janë në rrezik.
“Të gjithë janë të rëndësishëm për ne. Ne kërkojmë ndihmën tuaj për t’i shpëtuar ata”, ka thënë Zelensky ndërsa Rusia vazhdon të godasë objektiva me civilë në Ukrainë.
Përpjekja e fundit e suksesshme për evakuimin e civilëve u koordinua nga OKB-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.