Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme, ku do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden, sipas raportimeve.
Disa media amerikane raportuan lajmin, duke cituar një zyrtar amerikan, por nuk dhanë një afat kohor të saktë apo detaje të mëtejshme, shkruan aa.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë nuk dha një përgjigje.
Zelensky do të jetë në Nju Jork javën e ardhshme për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe duke përfshirë takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për të diskutuar përpjekjet për të kthyer marrëveshjen e Detit të Zi.
Zelensky vizitoi Uashingtonin në dhjetor për takime me Biden dhe për t’iu drejtuar një sesioni të përbashkët të Kongresit, ku ai falënderoi ligjvënësit amerikanë për ndihmën ndaj vendit të tij.
Biden bëri një vizitë të paralajmëruar në Kiev në shkurt dhe të dy u takuan për herë të fundit në korrik në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius, Lituani.
Gjatë vizitës së tij në Uashington, Zelensky pritet të vizitojë gjithashtu Capitol Hill-in në një kohë kur Biden po i kërkon Kongresit të miratojë më shumë se 24 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.