UBT News

​Yuri Kim: Shpallja “non grata” e Berishës u bazua në fakte, do të shpallen edhe persona të tjerë në Shqipëri

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim deklaroi se shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij nga ShBA-ja u mbështet vetëm në fakte, duke theksuar se një vendim i tillë erdhi përmes një procesi shumëvjeçar të shqyrtimit të gjithë informacionit.

Kim për Top Channel tha se kur dikush përcaktohet nga sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, zakonisht është shumë e dukshme.

Ajo tregon se kur vendimi arrin në tryezën e tij, pavarësisht se kush është personi i shpallur non grata, bindja është 100 për qind e sigurt. Duke folur për mundësinë nëse persona të tjerë në Shqipëri mund të shpallen non grata nga SHBA-të, ambasadorja amerikane thotë se do të vazhdohet të tregohen me gisht të gjithë ata që përfshihen në korrupsion dhe që minojnë demokracinë në vend.

E pyetur se çfarë ndodh në marrëdhënien e ShBA-së me PD-në, nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj, Kim theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të angazhohen me askënd që është shpallur për korrupsion madhor nga sekretari i Shtetit, duke theksuar më tej se kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka të bëjë fare me individët.

Ajo tha se ShBA-të nuk do ta braktisin Shqipërinë, jo vetëm nga fakti se është bërë një rrugë e gjatë, por edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe qeveria amerikane kujdeset sigurisht që mos ta lërë mënjanë këtë.

Exit mobile version