Komuna e Vushtrrisë ka investuar mbi 356 mijë euro në ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila pritet që brenda muajit të funksionalizohet. Përveç kësaj, mbi 210 mijë euro janë investuar në renovimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe në Ambulancat e Mjekësisë Familjare nëpër të gjitha fshatrat e saj.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Bujar Pllana thotë se të gjitha këto investime që kanë realizuar janë bërë me qëllimin që qytetarët vushtrrias të marrin shërbime sa më të mira shëndetësore.
“Është investim kapital i Komunës, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, që kushton mbi 356 mijë euro dhe pritet që brenda muajit të bëhet implementimi i saj… Komuna e Vushtrrisë ka bërë rinovimin e të gjitha QMF-ve dhe AMF-ve në të gjitha fshatrat, ku është instaluar edhe ngrohja qendrore, vlera e kësaj është mbi 210 mijë euro. Pastaj, janë blerë edhe pajisje mjekësore moderne për të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në vlerë prej 155 mijë eurosh. Është investuar edhe në teknologjinë informative që kap vlerën mbi 30 mijë euro”, thotë ai.
Një nga investimet që Komuna e Vushtrrisë ka bërë është edhe pajisja e laboratorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare me aparaturë moderne dhe shtimin e numrit të analizave laboratorike.
“Si Drejtori e Shëndetësisë kemi investuar edhe në laboratorin e QKMF-së, ku është pajisur me pajisje moderne edhe ku është mundësuar që numri i analizave të jetë më i madh dhe të hiqet lista e pritjes së pacientëve për kryerjen e analizave laboratorike. Është shtuar edhe numri i analizave laboratorike siç është testi për D-Dimer, testet serologjike që në plot qendra të tjera nuk bëhet, bëhet testi rapid, fraksionet e kolestorolit, CRP dhe shumë analiza të tjera që më herët nuk janë kryer”, thotë Pllana.
Pllana thotë se është duke vazhduar projekti i Komunës së Vushtrrisë në bashkëpunim me Islamic Relief për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në shtëpi për qytetarët. Ai thotë se nga janari e deri më tani janë kryer 17 mijë e 551 vizita dhe janë ofruar 59 mijë e 120 shërbime.
Doktoresha Ardita Asllani, pjesë e ekipit mjekësor që kryen vizitat shtëpiake, tregon për punën që bëjnë çdo ditë.
“Ne ofrojmë shërbime shëndet
ësore për të gjithë qytetarët në Komunën e Vushtrrisë, ku këto shërbime shëndetësore janë falas duke përfshi edhe terapinë. Shërbimet shëndetësore të cilat ofrohen përfshijnë vizitat shtëpiake nëpër të gjithë territorin e Vushtrrisë. Këto vizita bëhen tek pacientët me sëmundje malinje, tek personat me aftësi të kufizuara, tek pacientët me sëmundje kronike, tek gratë gjidhënëse dhe lehona, tek mosha e tretë”, thotë ajo.
Asllani shtoi se brenda një dite ofrojnë shërbime shëndetësore tek rreth 60 pacientë.