Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq takoi sot në Beograd të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet aktuale në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, dialogun dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.
“Vuçiq theksoi edhe një herë përkushtimin e plotë të Serbisë për vazhdimin e procesit të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel deri më tani dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa, Escobar “shprehu pritjen që dialogu për të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimi i gjithanshëm i marrëdhënieve do të vazhdojë në mënyrë dinamike dhe konstruktive, gjë që është e rëndësishme si për qytetarët ashtu edhe për paqen e përgjithshme. stabilitetin dhe përparimin e rajonit, me një përfundim të shpejtë të negociatave”.
Escobar tha dje se SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kërkuan shtyrjen e zbatimit të vendimit për regjistrimin e automjeteve në RKS për 10 muaj.