Një leopard u vra pasi sulmoi një oficer policie dhe shkaktoi panik në mesin e banorëve të një qyteti në Iranin verior, thanë autoritetet lokale.
“Me gjithë përpjekjet e veterinerëve, leopardi vdiq pasi u godit nga dy plumba të qëlluar për të shpëtuar jetën e një oficeri policie”, njoftoi Agjencia mjedisore në provincën Mazandaran.
Gjendja e punonjësit të policisë është e mirë. Autoritetet lokale thanë se po hetonin nëse leopardi hyri në qytetin Gaemshar nga pylli ose nëse disa banorë e mbanin atë ilegalisht.
Në rrjetet sociale janë shfaqur pamjet që tregojnë një leopard në rrugë duke qëndruar në këmbë dhe papritur duke ikur në panik. Prania e kafshës shkaktoi panik te kalimtarët.