Prokuroria Themelore në Ferizaj, saktësisht Departamenti për Krime të Rënda, dha detaje të tjera në lidhje me rastin tragjik që ndodhi në Ferizaj ku një 18-vjeçare ishte dërguar në Emergjencë pa shenja jete.
Prokuroria thotë se i dyshuari D.K., i cili gjendet në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Tashmë D.K., dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me vendim të prokurorit, është ndaluar personi tjetër me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.