UBT News

​Von Cramon: Nevojitet transparencë e plotë ndaj pronësisë dhe financave të mediave

Raportuesja në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se mediat në Kosovë duhet të jenë më transparente për burimet e financimit. Sipas saj, peizazhi i mediave tregon se bizneset e politika janë të përfshira në fushatat e dezinformimit.

Kështu u shpreh ajo në diskutimin e organizuar nga NDI me temën “Cenueshmëritë e qytetarëve ndaj dezinformimit: Si navigojnë demokracitë në hapësirën informuese në internet?”

Në konferencën për Integritetin e Informacionit, DISICON, po ashtu u tha se dezinformimi dhe keqinformimi janë kërcënim për shoqërinë.

Ambasadori i Tajvanit në Hungari, Shih Chung Liu ka thënë se bota po përballet me tri sfida. Ai shtoi se invazioni i heshtur i Kinës po bën përhapjen e dezinformatave.

“E tërë bota po përballet me tri sfida, konflikti, COVID dhe klima. Kur flas për konfliktin i referohem luftës në Ukrainë dhe konflikteve të mundshme ushtarake në gadishullin e Azisë, posaçërisht luftës hibride nga Rusia dhe Kina. Me COVID i referohem çrregullimit të zinxhirit furnizues global, krizës me energji, inflacionit dhe rënies ekonomike. Me këtë luftë të dezinformatave ka zvogëluar kapacitetin e qeverive dhe shoqërive civile që të adresojnë këto sfida. Me klimë, klima ka të bëjë me ngrohje globale që ka rrezikuar njerëzor në ditët tona”, ka thënë ai.

Ambasadori i Tajvanit tha se Kina po synon fuqizimin e imazhit ndërkombëtar që Tajvani është i Kinës.

“Duhet një përpjekje e bashkërenditur e komunitetit demokratik që bashkërisht të bashkërendojmë sfidat që lidhen me kërcënimet hibride të Kinë dhe Rusisë. Konferenca si kjo bashkërisht mund të na ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimit, shkëmbimin e strategjive dhe planeve emergjente dhe një përmbajtje apo kundërshtim ndaj Rusisë dhe Kinës. Dhe e fundit më e rëndësishmja është që duhet të fuqizojmë rëndë reziliencën që gjithashtu ka të bëjë edhe edukimi medial, kontrollimin e fakteve dhe fuqizimin e integritetit”, ka shtuar ambasadori i Tajvanit.

Në diskutim, raportuesja për Kosovën në PE, Viola Von Cramon ka deklaruar se imazhi i Kosovës tregon që bizneset e politika janë të përfshira në fushatën e dezinformimit.

“Peizazhi i Kosovës tregon që bizneset dhe politika janë të përfshira në fushatat e dezinformimit, si rrjedhojë e humbjes së mekanizmit të protokollove për të luftuar dezinformatat në hapësirat e informacionit, duke lënë qytetarët në një pozitë të cenueshme dhe në vlerësimet e informacione ditore. Na duhet një transparencë e plotë ndaj pronësisë mediatike dhe financave të mediave, por edhe funksionimit e duhur të transmetuesve publik”, ka deklaruar ajo.

Viola Von Cramon ka shtuar se mediat nuk janë transparente për burimet e financimit.

“Ka shumë pare në këtë sektor që po pretendohet si ndikim nga pala e tretë. Porse nuk është fort transparente sa i përket burimit të financimit, nëse ka burime të tjera, kundërshtar të tjerë politik, akterë të tretë. Na duhet më shumë transparencë dhe rregullim, që të sigurohemi që çdo media që është aktive në Kosovë, të zbulojë burimet ashtu që mund të shohim se cili gazetar, transmetues, gazetë paguhet nga kush dhe kush mund të ketë interes në një pozitë të caktuar politike”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg e ka quajtur si kërcënim të shoqërisë, shpërndarjen e dezinformatave në publik.

“Dezinformatat, keqinformimi dhe çrregullimi i informacionit janë kërcënim ndaj shoqërisë tonë në Kosovë. Jemi këtu për të ndarë praktikat më të mira dhe për të luftuar këtë kërcënim të vërtetë. Sot do të dëgjojmë perspektivën e Tajvanit për luftimin e dezinformatave dhe për hulumtimet e tyre për qasjen e tyre… Ndikimi i huaj përbën kërcënim hibrid. Konferenca e sotme do të adresojë zhvillimin e gjeneratave të reja të komunikimit dhe teknologjisë si dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në komunikim dhe themelet e demokracisë”, ka thënë ajo.

Konferenca për Integritetin e Informacionit DISICON është dy ditore. Dje dhe sot është diskutuar me temën “Cenueshmëritë e qytetarëve ndaj dezinformimit: Si navigojnë demokracitë në hapësirën informuese në internet?”

Exit mobile version