Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po mbajnë simpoziumin për sëmundjet kronike jo-ngjitëse në Kosovë. Qëllimi i këtij simpoziumi është edukimi i veçantë shëndetësor dhe ngritja e vetëdijesimit për simptomat dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se është hartuar plani i veprimit për parandalimin dhe uljen e sëmundjeve jo-ngjitëse.
Vitia potencoi se sëmundjet jo-ngjitëse janë sfida më e madhe shëndetësore, që kërkojnë kujdes në parandalimin dhe trajtimin e tyre, derisa shtoi se prania e tyre është e lidhur me faktorë të ndryshëm duke përfshirë stilin e jetesës dhe aktivitetin fizik.
Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se ky simpozium shërben si një platformë që të ndajnë njohuri dhe të bashkëpunojnë në mënyrë efektive për mirëqenien e qytetarëve edhe për të ndërruar një të ardhme të shëndetshme për ta.
Tutje, Ramadani theksoi se është e rëndësishme sensibilizimi dhe ndërhyrja në kohë për sëmundjet kronike jo-ngjitëse, derisa shtoi se këto sëmundje shpesh quhen vrasës të heshtur sepse kanë tendencë të zhvillohen ngadalë.
Ndërsa, sekretari i parë i Ambasadës së Zvicrës, Laurent Torche, potencoi se rreth 41 milionë njerëz në botë vdesin në baza vjetore si pasojë e sëmundjeve jo-ngjitëse, derisa shtoi se 73 për qind e të gjitha vdekjeve brenda vitit kanë të bëjnë me këto sëmundje.
Torche shtoi se do të vazhdojnë të mbështetin zbatimin e agjendës dhe reformave kombëtare dhe programeve të tjera që merren me shëndetësi në Kosovë, duke përfshirë edhe mbështetjen e arsimit shëndetësor.
Pjesë e simpoziumit ishte edhe ndërlidhësi dhe shefi i Zyrës së OBSH-së, Oleksandr Martynenko i cili përmes një prezantimi tregoi disa statistika të vdekjeve si shkak i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse.
Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, tha se në sfidën e shekullit 21, zbulimi i hershëm, trajtimi i duhur me kohë dhe kujdesi i shtuar mund të ndihmojnë shumë në trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Ai theksoi se trajnimi i stafit dhe personelit shëndetësor në SHSKUK është me rëndësi për ta parandaluar dhe zvogëluar në praninë e këtyre sëmundjeve.