Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ai aktual Arben Vitia janë përplasur sot në Kuvend rreth infermierëve të angazhuar gjatë pandemisë me koronavirus.
Zemaj ka quajtur mashtrues ordiner ministrin e Shëndetësisë, duke e akuzuar për shkëputje të kontratës me infermierët me një njoftim që ai e ka cilësuar si skandaloz.
Ministri Vitia ka sqaruar se infermierët e angazhuar për luftimin e COVID-19 kanë qenë pjesë e projektit të Bankës Botërore dhe me kontrata me afate të caktuara, për kohën sa institucionet shëndetësore kanë pasur nevojë për infermierë shtesë. Ai ka thënë se të njëjtit nuk mund të kalojnë në buxhet të Kosovës, andaj ka pasur një konkurs të ri në të cilin kanë mundur të aplikojnë të gjithë infermierët.
“Nëse ish-ministri apo kushdo u ka premtuar se mund t’iu vazhdohet ky afat, atëherë fatkeqësisht ata janë mashtruar”, ka thënë Vitia.
Por, deputeti nga radhët e LDK-së Armend Zemaj i është kundërpërgjigjur ministrit Vitia duke thënë se nuk do të ketë nevojë për angazhim të infermierëve vetëm nëse përfundon pandemia në Kosovë.
“Më vjen keq për fjalorin e tij tipik mashtrues, jo mashtrues, por mashtrues ordiner. Pse po e them këtë dhe po e faktoj pikërisht në atë që e tha dhe e potencoi me gojë të vetë. Angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë në bazë të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, edhe ky angazhim nënkupton për nevoja urgjente. Nëse ky ministri gjeni deklaron ligjërisht që pandemia COVID-19 ka përfunduar në Republikën e Kosovës, atëherë nuk do të ketë nevojë për angazhim të llojit të këtij stafi”, ka thënë Zemaj.
Për më tepër, Zemaj tha se nuk u kanë premtuar asgjë infermierëve dhe se çdo gjë është bërë në bazë të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
“Keni bërë diçka të pandashme duke u shkëputur kontratën me një njoftim skandaloz dhe pa asnjë falënderim. Së paku një falënderim moral”, tha Zemaj.
Ministri Vitia i është kundërpërgjigjur deputetit Zemaj se po përpiqet të manipulojë qytetarët me këtë çështje.
“U kërkova falje në emrin e juaj, sepse unë jam ministër i Shëndetësisë tani, dhe si institucion në mënyrën si e bëni ju sinqerisht është për të ardhur keq. Ju si ministër e dini qartë si kanë qenë kontratat e tyre, në momentin që e dini si kanë qenë kontratat e tyre dhe për t’u ngritur kjo çështje është për të ardhur keq si mundoheni t’i manipuloni politikisht këta infermierë, të cilët sinqerisht kanë shërbyer në mënyrën më të mirë gjatë kësaj kohe”, ka thënë Vitia.