Disa simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë festuar para selisë së kësaj partie në Obiliq.
Para tyre kandidati për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi ka thënë se do të jetë në balotazh me Xhafer Gashin nga Iniciativa Qytetare. Thaçi tha se pa shantazh e pa kërcënime do të shënojnë fitore.
“Pa shantazh, pa kërcënime, pa hajni, pa subvencione ne jemi në balotazh… Ne do të fitojmë pa mbështetjen e hajnave atyre që ndërtuan gurthyes, atyre që shkatërruan natyrën e që sponsor kryesor ishte kryetari në ikje. Lëvizja është e pastër bardhë si loti bash si krejt populli jonë… Ata që fituan me llastika me kaçak të pulave atyre do t’iu vijë fundi e fundi i tyre jemi ne, është fitorja e Lëvizjes”, tha ai.
Derisa para selisë së Lëvizjes po brohorisnin simpatizantë të kësaj partie “Me hajna nuk ka shtet”, në rrugën e kësaj komunë ku pak metra më Poshtë ndodhet edhe selia e Iniciativës Qytetare brohorisnin e festonin me automjete simpatizuesit e Xhafer Gashit. Por policia e Kosovës më pas ndaloi qarkullimin me vetura në ato pjesë, ndërsa përkrahësit e LVV-së u ftuan të hyjnë brenda.