Komisionari për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka reaguar pas tensioneve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve që vijnë nga Serbia.
Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut, pasi që veprimet e njëanshme nuk paraqesin asnjëherë zgjidhje reale.
“Serbia dhe Kosova është e domosdoshme të ushtrojnë përmbajtje dhe të zvogëloni tensionet, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni lirinë e lëvizjes pa vonesë. Veprimet e njëanshme nuk janë kurrë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, shkruan Varhelyi në Twitter.
Kosova ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë, pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit, më 15 shtator. Sipas vendimit, të gjitha automjetet e Serbisë duhet të marrin targa kalimtare gjatë kalimit në Kosovë, e cila po kundërshtohet nga Beogradi zyrtar.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se vendimi nuk është provokim dhe as diskriminim ndaj serbëve lokalë.