Ish-presidenti amerikan Donald Trump është deklaruar i pafajshëm në një gjykatë në Washington për ndërhyrje në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 të cilat ai i humbi ndaj presidentit aktual Joe Biden.
BBC raportoi se gjatë seancës gjyqësore të shkurtër, Trump foli me zë të ulët për të konfirmuar deklarimin e tij të pafajësisë, emrin dhe moshën, dhe se nuk ishte nën ndikimin e ndonjë substance. Ai më vonë u tha gazetarëve se rasti ishte “përndjekje e një kundërshtari politik”.
Kjo shënon paraqitjen e tretë të ish-presidentit si i pandehur penal, në katër muaj.
Trump hyri nga një derë e pasme e gjykatës të enjten pasdite në qendër të Uashingtonit pak metra larg skenës së trazirave të Kapitolit në SHBA, që është thelbësore për çështjen e prokurorisë.
Rreth 1000 të pandehur, të akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e Kongresit më 6 janar 2021 janë paraqitur në të njëjtën ndërtesë gjykate.
Ish-presidenti dukej se shkëmbente shikime në gjykatë me Jack Smith, këshilltarin special që drejton hetimin.
Deklarimi i tij i pafajshëm mbuloi katër akuzat në këtë aktakuzë të fundit: Komplot për të mashtruar SHBA-në; Komplot për të penguar një procedurë zyrtare; Pengimi i një procedimi zyrtar dhe; Komplot kundër të drejtave të qytetarëve.
Gjykatësja i tha ish-presidentit të mos komunikonte për faktet e çështjes. Ajo e paralajmëroi atë se mosrespektimi mund të rezultojë në një urdhër arresti, revokimin e kushteve të lirimit, dhe shpërfillje të akuzave gjyqësore.
Prokurorët thanë në seancë se çështja do të përfitonte nga një gjykim i shpejtë.
Por avokati mbrojtës i Trump, John Lauro tha se atyre do t’u duhej më shumë kohë për t’u përgatitur. Ai tha se afati kohor i prokurorisë ishte “disi absurd” duke pasur parasysh se vetë hetimi kishte zgjatur tre vjet.
Akuzat e paraqitura të martën në një aktakuzë, ose fletë akuzash, përfshijnë një akuzë për “komplot për të dëmtuar, penguar dhe mposhtur funksionin e qeverisë federale përmes pandershmërisë dhe mashtrimit”.
Trump aktualisht është kandidati kryesor për nominimin e republikanëve për Shtëpinë e Bardhë për vitin 2024 dhe mund të përballet me një revansh me Biden.
Duke folur për gazetarët përpara se të nisej për në shtëpi për në Nju Xhersi me avionin e tij privat, Trump tha se akuza e tij ishte një “ditë shumë e trishtuar për Amerikën”.