Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtimit mbajti sot takim me operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve, ku diskutuan për vendimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku përcaktohet çmimorja e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobusë, për kategoritë e veçanta të shoqërisë siç janë fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.
Pas diskutimeve, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj tha se me marrjen e tri vendimeve si shoqatë, Qeverisë së Kosovës do t’i japin 72 orë kohë për anulim të këtij vendimi, përndryshe do të protestojnë.
“Çështja e dytë apo vendimi i dytë ka të bëjë me çështjen që ne po kërkojmë që brenda tri ditësh, përkatësisht për një afat prej 72 orësh, Qeveria ta anulojë këtë vendim. Ne presim reflektimin e Qeverisë në anulimin e këtij vendimi në afat prej 72 orësh , dhe të ulet këtu në Odën Ekonomike bashkë me shoqatën dhe të zbatojmë marrëveshjen e shkruar mes Qeverisë dhe Shoqatës së Transportit Rrugorë të Udhëtarëve për subvencionim të transportit rrugor. Nëse kjo nuk aprovohet, atëherë vendimi i tretë i shoqatës pason me autorizim që i kanë dhënë shoqatës këshillit drejtues dhe gjithë anëtarëve të Kuvendit që të vazhdohet protesta e pezulluar”, tha Kurtishaj.
Kurtishaj gjithashtu bëri të ditur se kanë vendosur të dërgojnë një kërkesë padie në Gjykatën Themelore dhe atë Kushtetuese për shkelje ligjore dhe mohim të të drejtave të tyre si operatorë privat me sektorin e transportit rrugor.
“Në vazhdimësi për shkak të situatës së krijuar dhe për të kundërshtuar këtë vendim, këshilli drejtues mori tri vendime. E para ka të bëjë me vendimin që është shumë i rëndësishëm e që ka të bëjë më masën e përkohshme, pra këshilli drejtues me anë të një kërkesë padie do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe Gjykatës Kushtetuese për shkelje ligjore dhe për mohimin e të drejtave tona si treg i lirë, si operatorë privat me sektorin e transportit rrugor”, thotë Kurtishaj.
E në lidhje më këtë vendim të marrë nga Qeveria e Kosovës, Kurtishaj theksoi që nuk është pyetur fare si shoqatë.